Ngjarja tragjike që ka ndodhur në Bularat të Gjirokastrës ku humbi jetën një shtetas shqiptar, por njëkohësisht edhe shtetas grek, që i përkiste minoritetit grek 35 vjeçari grek Kostantinos Kacifas, është me siguri një ngjarje e rëndë, një ngjarje fatkeqe, jo thjesht për familjen e viktimës, por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Është një ngjarje e cila ka ndodhur në një kontekst i cili vetvetiu e ngarkon këtë vrasje, në të cilat në rrethana të tjera mund të kishte një tjetër emërtim. Pra e ngarkon me një simbolikë e cila do t’ia rrisë, do t’ia shumëfishojë efektet apo ndikimin në popullatën greke dhe për pasojë marrëdhënien midis dy vendeve.
Ngjarja ndodhi kur grekët përkujtuan festën e tyre kombëtare, festa e quajtur ndryshe Oqi(Jo-ja), pra 28 tetori, ditën e sulmit italian mbi Greqinë, kur pritet edhe presidenti Italian që të vizitojë Greqinë dhe do t’i kërkojë falje për atë sulm që ndodhi në 28 tetor 1940, nisur nga territori shqiptar.
Është një ngjarje e cila ndodhi një ditë më pas, kur një këshilltar i presidentit turk e kërcënoi Greqinë ose përdori fjalë të cilat ishin fyese, përçmuese për kapacitetin e saj ushtarak. Ai tha pak a shumë se forcat turke në Egje janë tre-katër fish më të mëdha se sa ato greke dhe nëqoftëse do të ndodhë luftë midis dy vendeve Turqia do ta shkatërronte Greqinë për tre-katër orë.
Kjo ngjarje ndodh kësisoj në një kontekst të tillë ngjarjesh, por dhe në kontekstin kohor kurmidis dy vendeve janë negociuar një pjesë marrëveshjesh, apo ndoshta kanë marrë formën përfundimtare që lidhen qoftë me historinë, apo qoftë me të sotmen marrëdhënien midis dy vendeve për të cilat është folur. Ato do të jenë pjesë apo do t’i referohen një traktati të ri miqësie, sepse i vjetri ka skaduar.
Ky ishte konteksti kohor, por ka dhe elementë të tjerë, që të shtyjnë të mendosh se kjo ngjarje tragjike, me gjasë do ndikojë në cilësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe do të duhet mençuri, do të duhet maturi që ajo mos të ndikojë.
Ndikimet e mundshme të ngjarjes
Nëqoftëse do të mbështetemi thjesht dhe vetëm ekskluzivisht mbi burime shqiptare, është krejt e qartë se ky individ i cili sipas ligjit grek ndonëse ishte 35 vjeçar kryente shërbimin ushtarak në forcat greke, (këtë e thonë mediat fqinje),në njëfarë mënyre e ka paracaktuar veprimin e vet me një status në Facebook . Siç bëjnë të ditur të gjithë burimet zyrtare shqiptare por dhe dëshmitë e banorëve të zonës, ka shkrepur armë, përveçse ka patur një rol aktiv që është tërësisht i vetëkuptueshëm, një rol normal, ku ka ngritur flamujt grekë në të gjithë fshatin. Sipas policisë tek viktima janë gjetur 31 gëzhoja, pra duke supozuar se ai ka rezistuar, ka qëlluar drejt policisë, ka bërë rezistencë relativisht të gjatë. Pra ky është versioni që jep policia shqiptare. Ndërkohë versioni që japin mediat greke,qoftë mediat serioze, qoftë mediat jo me reputacion të madh, thotë se ushtari grek është qëlluar sepse ka kundërshtuar që policia shqiptare të uli flamurin. Një version i tillë mjafton që të përflakë, të ngrejë në këmbë aktivistë të partisë Agimi i Artë, ndonëse ministrja e Kulturës greke Myrsini Zorba, e cila e përshkruan atë që ndodhi në Bularat me tone krenare dhe thotë që: “Ne dëgjuam se asnjë flamur grek nuk u ul”,-pra ajo e përgenjështroi në njëfarë mënyre versionin e gazetave greke.
Është krejt e qartë se Kacifas ka dashur që të bëjë një gjest të tillë në ditën e festës kombëtare të Greqisë, një gjest të fortë sfidues ndaj autoriteteve shqiptare, por edhe ndaj autoriteteve greke : Tsipras dhe Rama nuk do ta kalonin lehtë, duke e lënë të kuptohet sipas shtypit grek që fjalën e ka patur për marrëveshjen e varrezave-shkruante Kacifas. ` Në këtë kuptim, duke patur parasysh forcën e mediave, motivimin që i japin ato pjesës së errët të popullsisë, pjesës militante të saj, do duhet kuptuar që mbi qeverinë e sotme greke është duke u zhvilluar që tani një presion i fortë që ndaj Shqipërisë tregohet ashpërsi, tregohet reagim i fortë dhe për këtë arsye një pjesë e deklaratës së ministrisë së Jashtme greke ishte relativisht agresive ndërsa thoshte që vrasja ishte e papranueshme. Ndërsa pjesa e parë e deklaratës ishte se bashkë me autoritetet shqiptare kemi ndjekur situatën. Do duhet kuptuar që kemi një reagim për shkak të presionit të brendshëm në të cilin gjendet qeveria greke për këtë vrasje : kjo vrasje nga ana e mediave është duke u servirur sipas një versioni që i nxit masat të mendojnë që shqiptarët kanë vrarë një shtetas grek, madje kanë vrarë një ushtar grek. Do duhet kuptuar këtu që në shtetin fqinj, që përveç mediave jo serioze të cilat manipulojnë opinionin publik, ka edhe forca të tjera që janë të interesuara në prag të zgjedhjeve të vendit fqinj, që të krijojnë motive, qoftë për të rrëzuar qeverinë e cila mbahet në këmbë nga një aleancë e brishtë e të majtës me të djathtën ekstreme përfaqësuar nga ministri i Mbrojtjes Kamenos, pra ministri i ushtrisë, apo për të ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve të kësaj qeverie me vendet fqinj me Shqipërinë, posaçërisht me Turqinë etj, etj. Në këtë kuptim po të llogarisim dhe faktin që ky incident tragjik ndodhi pas deklaratës poshtëruese të këshilltarit të presidentit Erdogan për Greqinë, duhet kuptuar që një pjesë e opinionit publik grek do të reagojë ashtu siç u paratha në protestën që u organizua përpara ambasadës shqiptare.
Reagimi i Shqipërisë
Ushqimi që vjen pqe pjesën e errët të Greqisë, nga partia e minoritetit është inkandeshent : ekzekutim i ftohtë. Reagimi i Berishës, të cilit i duhet qoftë mbajtja e PBDNJ-së, brenda opozitës, qoftë egërsimi grek ndaj Ramës, gjithashtu ishte inkurajues i kësaj klime ndaj Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, duhej gjesti i tifozave të Partizanit, që ndërlidhet me Ramën..
Shqipëria nëpërmjet Kryeministrit, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme ka reaguar në mënyrë të vendosur ndonse është koha për të bërë edhe llogari se cilat mund të ishin reagimet e palës greke.
Do duhet të shpresojmë që qeveria e vendit fqinj, në një situatë si kjo do të ruajë qetësinë, do të arrijë që të qartësojë opinionin e vet, se ajo çfarë ka ndodhur ka qenë e detyruar. Reagimet që po vijojnë ngjajnë të arsyeshme, dhe kërkesat për ekspertë janë logjike. Kërkimet në biografinë greke të Kacifas, gjetjet për ndalimin e tij në Athinë, janë gjithashtu interesante për të shfryrë mitizimin heroik të tij.
Është e vështirë të imagjinohet që një operacion kaq delikat i policisë, është kryer pa u dokumentuar, pra pa u filmuar, veç filmimeve kyçe që si zakonisht i ofron Artan Hoxha në ngjarje të mëdha. Policia e ka patur të gjithë kohën e arsyeshme për ta dokumentuar atë që ka ndodhur. Së dyti është e vështirë të imagjinohet që në një zonë si ajo e Gjirokastrës, ku Greqia ka konsullatë, një operacion i tillë të jetë zhvilluar pa vëmendjen e konsullatës greke. Madje dhe të policisë greke, e cila pranon se ka qenë e informuar. Kështu që në këtë kuptim është shumë e vështirë të imagjinohet që një ngjarje e tillë ka ndodhur fshehurazi jashtë vëmendjes së Greqisë e cila mund të ketë patur dëshmitarë okularë në gjithçka çfarë ka ndodhur. Por kjo nuk do të thotë që ato forca, ato individë, ato subjekte politike brenda Greqisë apo jashtë saj, të cilat kanë interes në prishjen e marrëdhënieve, mos ta ndikojnë që ta përdorin këtë vrasje, këtë incident tragjik, për të prishur marrëdhëniet midis dy vendeve, për t’i shtyrë ato më mbrapa se sa ishin në momentin kur qeveria Tsipras erdhi në pushtet. `dhe pikëpyetja është kjo : a do të gjejnë palët kohë për të përmbushur, firmosur marrëveshjet e negociuara ? Në një shkrim të paradokohshëm për faktorin kohë, supozohej se marrëveshje e mirë me Greqinë mund të nënshkruhej vetëm në fillim të mandatit : incidenti me Kacifas, afrimi i zgjedhjeve, vështirëson gjithçka.
Një shënim i fundit
Ky është një lexim fatkeq për shekullin e 21-të. Do të duhet marrë parasysh se midis minoritetit grek edhe shqiptarëve që banojnë aty, apo shqiptarëve në përgjithësi nuk ka patur kurrë problem, aq më tepër probleme serioze. Ky ishte një individ që me siguri për shkak të shërbimit ushtarak i është nënshtruar asaj shpëlarje truri që prodhon ato marshime që kemi parë kur për t’i motivuar ushtarët u mësojnë këngë për rrjepjen e lëkurës së shqiptarëve, shndrrimin e tyre në lidhëse këpucësh etj. Pra një incident fatkeq e që ka ndodhur me një njeri i cili i përket minoritetit që është në marrëdhënie të shkëlqyera me shqiptarët, por që për shkak të shërbimit ushtarak ka marrë atë dozën e helmimit të vetëdijes së tij, e cila e çoi në këtë incident, përplasje tragjike me autoritetet.
Është pak e habitshme se si autoritetet e të dy vendeve kërkojnë që të ndryshohen tekstet shkollore, të cilat kanë gjithashtu pjesën e tyre të ndikimit në krijimin e bindjeve te brezi i ri, por ndërkohë nuk kërkojnë që në ushtrinë greke të hiqen këto këngë raciste, ekstremiste të cilat nxisin urrejtje për popullin fqinj.
Kështu pra në një kontekst si ky, në një ngjarje tragjike si vrasja nga ana e policisë gjatë shkëmbimit të zjarrit të këtij shtetasi greko-shqiptar apo shqiptaro-grek do të mund të interpretohej ndryshe, kurse sot ajo i ka të gjithë elementët për të shtyrë, për të stimuluar një presion mbi qeverinë e sotme greke dhe për pasojë të gjithë marrëveshjet që janë negociuar të kalojnë, të ngelen për në një kohë tjetër.
Le të shpresojmë pra që do të mbizotërojë maturia ndonëse përgjithësisht qeveritë, partitë politike në prag të zgjedhjeve, kur llogaritë elektorale nuk janë të mira, improvizojnë dhe improvizimi nuk është i mirë për askënd.