MENU
klinika

“Hiletë” me mikrokredinë

Kredi me 126%…të vjen edhe në shtëpi

02.10.2018 - 13:04

“Kredi për 30 minuta”, “Ju heqim litarin nga fyti” apo edhe “Jua sjellim paratë në shtëpi”.  Janë slogane reklamash që iu takojnë institucioneve të mikrokredisë, kompani financiare të angazhuara kryesisht në tregun e kredive të vogla dhe afatshkurtra. Duke dëgjuar këto slogane, kredia tingëllon si një bekim që të zgjidh shpejt dhe thjesht çdo hall.

Por, sigurisht që kredia ka një kosto dhe është e rëndësishme që klienti ta kuptojë qartë përmasën e kësaj kostoje. Kredia, sado e vogël, është një produkt financiar dhe marrja e saj kërkon dhënien nga ofruesi të një informacioni të plotë dhe të kuptueshëm nga klienti. Ndaj transparenca është një temë shumë e rëndësishme, kur flasim për produkte apo shërbime financiare.

Produktet e mikrokredisë sigurisht që kanë një rëndësi të tyre në treg. Ato iu përgjigjen nevojave për financim të shpejtë, ose edhe urgjent, nga individët dhe si të tilla ato mund të jenë alternativë e dobishme, në varësi të rrethanave. Këto institucione kanë natyrë të ndryshme nga bankat, ku procedurat e miratimit të kredisë janë më të kujdesshme. Kjo ndodh sepse përgjithësisht bankat janë institucione më të mëdha, më të burokratizuara dhe që ndjekin rregulla më rigoroze, me qëllim uljen në minimum të rrezikut të moskthimit të huasë.

Ndaj edhe kredia bankare ka kritere më të forta dhe kërkon kohë më të gjatë për t’u miratuar. Por, nuk duhet harruar që interesat e kredive bankare janë shumë më të ulëta, madje shpesh disa herë më të ulëta krahasuar me interesat që aplikojnë disa prej institucioneve të mikrokredisë. Kjo duhet pasur parasysh në vlerësimin e informacionit që këto institucione ofrojnë lidhur me kostot e kredisë.

Interesi vjetor për kreditë që ofrojnë këto institucione shkon deri në 126% në vit! Ndërkohë, komisionet llogariten deri në 30 mijë lekë. Por, duke pasur parasysh se shuma maksimale e kredisë për një klient fillestar është 100 mijë lekë, atëherë komisioni është sa 30% e vlerës së kredisë! Këto të dhëna duhet t’i shpjegohen qartë çdo klienti, por, të paktën në informacionin që ofrohet në adresën e subjektit në fjalë, kjo nuk bëhet.

Praktikat e diskutueshme që ndjekin disa institucione të mikrokredisë nuk kufizohen vetëm te transparenca apo mungesa e një informacioni të qartë krahasues.

Ka institucione të mikrokredisë që ofrojnë ta sjellin kredinë në shtëpi, pa kërkuar nga kredimarrësi as një llogari të thjeshtë bankare. I njëjti institucion madje ofron një kredi të quajtur “Relax”, që mban këtë emër sepse klienti nuk e kërkon, por ajo i ofrohet nga vetë kompania.

Të kontaktosh klientë dhe t’iu ofrosh kredi, sikur të ishin dyshekë apo jorganë, nuk është në përputhje me standardet më të mira të etikës për një institucion financiar.  Për më tepër që flasim për produkte ku norma e interesit mund të arrijë deri në 12% në muaj ose 144% në vit!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritet vetëm për individët

Kredia “me paterica”

5.6% është me probleme

Kredia jashtë vendit po përkeqësohet