MENU
klinika

Rritet vetëm për individët

Kredia “me paterica”

01.10.2018 - 13:36

Kredia për ekonominë u rrit me përmasa modeste edhe për muajin gusht. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë arriti vlerën e 533.2 miliardë lekëve, me një rritje prej vetëm 200 milionë lekësh nga korriku. Kredia ngelet në rënie, me 3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Huadhënia ngelet e ngadaltë dhe raporti i stabilitetit financiar për gjysmën e parë të këtij viti evidentoi se kredia e re ka rënë me 12% krahasuar me 6-mujorin e parë 2017.

Në fakt, rritja e kredisë ka ardhur e gjitha nga individët. Edhe për gushtin portofoli në këtë segment u rrit me 600 milionë lekë. Në një vit, kredia për individët është rritur me afro 10% dhe ka arritur vlerën e 116 miliardë lekëve.

Bankat ka rritur ofertën në këtë segment, në përpjekje për të diversifikuar portofolin dhe për të ulur përqëndrimet e larta në klientë të veçantë. Kreditimi i individëve po nxitet nga ulja e normave të interesit në nivelet më të ulëta historike, sidomos në huatë për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Segmenti më problematik është pikërisht edhe ai më i madhi për nga përmasat e huadhënies: biznesi. Kredia për sipërmarrjen pësoi një rënie të mëtejshme gjatë gushtit, ndërsa krahasuar me një vit më parë vlera është 4.5% më e ulët.

Vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për biznesin vuan si nga krahu i kërkesës, ashtu edhe i ofertës. Bankat vazhdojnë të jenë konservatore, sidomos kur bëhet fjalë për ekspozime të mëdha. Ndërkohë, edhe anketimi i kryer në gjashtëmujorin e parë të këtij viti për huamarrjen e bizneseve tregoi se kërkesa e tyre për borxh është e moderuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


104 mln euro për korrikun

Kredia në euroizim