Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është kërcënuar me vdekje përmes një e-maili që ka arritur sot në adresë të tij.
Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, Bahtiri kërcënohet me vdekje për shkak të angazhimit dhe insistimit të tij të vazhdueshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Në njoftimin e Komunës së Mitrovicës thuhet se kërcënuesit kërkojnë nga kryetari Bahtiri që të mos ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kësaj ure, edhe pse projekti i Bashkimit Evropian për rivitalizimin e saj ka përfunduar në tërësi.
Për rastin e kërcënimit të kryetarit Bahtiri është njoftuar Policia e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, të cilat janë duke u marrë me këtë çështje.
Po ashtu, Bahtiri kërkon nga qytetarët që të mos dekurajohen nga ky veprim qyqar i individëve apo grupeve kriminale që nuk duan përmirësim të gjendjes në qytetin e Mitrovicës e as përmirësim të raporteve ndëretnike e të bashkëpunimit midis qytetarëve të të dyja komunave. /Konica.al/