Leku humbi pikë në kursin e këmbimit ndaj të gjitha valutave kryesore. Sipas Bankës së Shqipërisë, euro u forcua për të dytën ditë radhazi, duke iu drejtuar sërish vlerës së 125 lekëve. Më saktësisht, euro u këmbye me 124.94 lekë, në rritje me 0.17 pikë krahasuar me të martën. Forcimi i papritur i euros gjatë kësaj jave shtron hipotezën e një rikthimi eventual të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të lekut.
Përveçse ndaj euros, leku humbi pikë edhe ndaj dollarit amerikan dhe paundit britanik. Dollari vazhdon marshimin në tregjet ndërkombëtare, që po reflektohet edhe në kursin me lekun. Monedha e gjelbër u këmbye me 110.25 lekë, në rritje me gati gjysmë pike krahasuar me të martën. Pas disa ditëve radhazi në rënie, edhe paundi iu rikthye rritjes. Monedha britanike u këmbye me 140.43 lekë, në rritje me 0.33 lekë nga e marta.