MENU
klinika

Shuhet Fatos Arapi

Letërsia në zi, ikën dhe një nga kolosët e saj

11.10.2018 - 14:51

Atdheu

Atdheu është dhimbje, është dhimbje,
Një prill i pikëlluar në shpirt,
Atdheu është kryqi, është kryqi,
E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar,
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë,
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar,
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur,
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop,
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur,
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr,
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind,
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë,
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

Fatos Arapi është një nga ato figura që për letërsinë shqipe ishte dritë. I papërsëritshmi në llojin e tij letrar quhet Fatos Arapi. Radhitet si një nga personalitetet më të mëdha të viteve ’60-të përkrah Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë etj. Tashmë kemi vetëm Ismail Kadarenë, poeti më i madh i kohës moderne na la.

Iku në rrugëtimin e tij, i heshtur dhe i lënë mënjanë vitet e fundit. Iku, duke i lënë zemërvrarë veprat, rreshtat e shumtë të mundimit. Iku, po la tempullin e vet të fjalës, ku kushdo mund të ngjitet në qoftë se do ta rrokë. Njeriu shumëdimesional që i dhuroi shqiptarëve një shkëndijë lirie. Iku, duke na lënë pas të vetmen gjë të shtrenjtë të tijën, mesazhet kuptimplote përçuar përmes poezisë, vjershës, fjalës së lirë. Iku në heshtje, por le të jetë zëri i artdashësve një apel i fuqishëm për ta bërë të pavdekshëm për vizionin e tij mbi realitetin, ta lexojmë, ta kuptojmë, duke i fashitur në këtë mënyrë sadopak sakrificat dhe mundimet e këtij gjeniu të penës. Iku, por ngelet mes nesh me forcën e vargut, fjalës, domethënies, kuptimit, mesazhit, jetës.

Fatos Arapi, shkollën e mesme e kreu në Vlorë, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Më pas, punoi si gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës.
Personaliteti i tij nuk mund të mjaftohej vetëm me një lëm mendimi, por ai kridhet në lëmenj të tjerë duke përqafuar letërsinë si pjesë të jetës së tij. Gjenialiteti i tij dallohet për një sërë krijimesh dhe përkthimesh. Mbizotëroi njëkohësisht në shumë botë të pakuptueshme për ne, por qëmtoi me veprën.

Pas pasionit për poezinë, ai u ndal edhe tek novela. Ai ka shumë pasione dhe dëshira në letërsi. Shkroi gjithashtu romane dhe u mor me përkthime. Ai endet dhe tirret, zhdridhet dhe triumfon pareshtur në botën magjike të fjalës, ndihet komod në majën malit që mban emrin Art.

Shumëllojshmërinë e mendimit do t’ua përcjellë të gjithëve. Fjala e tij për të apasionuarit e letrësisë rrjedh gjak, djersë, musht, mjaltë, vuajtje, gëzim, trishtim, liri, kënaqësi, jetë.
Në shumësinë e veprave të tij të pasura të mendimit mund të theksojmë llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ai ka shkruar:

Novelat:
Patat e egra, 1969;
Cipa e borës, 1985;
Gjeniu pa kokë, 1999

Romanet:

Dhjetori i shqetësuar, 1970;
Shokët, 1977;
Deti në mes, 1986;

Dramat:

Partizani pa emër, 1962;
Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995;

Përkthimet:

Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981;
Poezi të kolosit Pablo Neruda, 1989;
Safo, 1990;
Antologji e poezisë turke

Nuk ngelen pas studimet dhe artikujt e shumtë studimorë. I thjeshtë dhe i padallueshëm në fizik e në pamje, po me horizontin e një planeti tjetër, nga ku burojnë të gjitha lëmet gjeniale të letërsisë. “I fundit i Mohikanëve” ndër artdashës. Nga ai planet që vështirë të thuhet se nga vijnë burimet e domethënieve jetësore, një njeri që duhet ta mendosh mirë fjalën para se ta përshkruash, e përsëri fjala nuk mjafton.

Një nga krijuesit më të veçantë të krijimtarisë shqiptare në vitin 2008, i cili rrëmben disa çmime ndërkombëtare, çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 fitoi “Kurorën e artë”, në manifestimin poetik, “Mbrëmjet e poezisë strugane”. Nuk përshkruhet figura e një kolosi nga titujt, titujt më të shumtë të tij janë fjalët, ky është instrumenti ku ai godet prapaskenat njerëzore.

Poezitë e para Fatos Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezia dhe vjersha”. Ka një artikulimin gjuhësor mbreslënës të botës dhe të njeriut, të qenies, një mënyrë si realiteti përshkon derën e tij, dhe ai hap dritaren për ta kumtuar tek të tjerët. Për kë duhet të rrahin ato kumte?

Pavarësisht ndrydhjes së sistemit komunist, ai merr entuziazëm poeti për të shpalosur në mundësitë e kohës për letërsi dhe kuptime njerëzore. Brenda vizionit të tij, Fatos Arapi shpesh do të tallet e qesëndisë me përqeshje ideologjitë shterpë, demagogjitë, idealizmat utopikë dhe të shtrembëruara në analfabetizmat e kohërave, të mbiendosura realitetit të trishtë, dhimbjes, vuajtjes, shijes që lë skamja e skllavërisë moderne të diktatit njerëzor të dalë nga ngushtësia e pushtetit të njeriut. Më mirë këtë ai e përcjell tek poezia “Antiburokratike” dhe me stilin e tij origjinal në poezinë “Pse erdha në jetë”.

Kolosët lirinë e kanë karakteristikë të tyren, kjo është shtysa e parë për të hequr frikërat gjithfarëshe që i pengojnë njerëzit në jetë, gjithashtu stimul për të menduar ashtu si artistët.

Ky është qëllimi i letrarëve, të përballen me jetën e vështirë nëpërmjet lirisë poetike dhe t’u ofrojnë të tjerëve një dritë gëzimi e lumturie. Ky është ideali madhor, ku poeti duhet të përbetohet. Nuk ka artdashës në letërsi që mos të kujtojë emrin Fatos Arapi. Ai nuk është më letrar, nuk e njeh ç’është letërsia.

Gjatë viteve shtatëdhjetë Fatos Arapi boton ciklin e poezive dhe rizgjon Skënderbeun, figura e të cilit është sfidë e përhershme frymëzimi poetik nëpër shekujt e letësisë shqipe. Ai e lëmon figurën kombëtare të gjithë shqiptarëve përpara poezisë.

Fatos Arapi edhe në këtë rreth tematik vjen i veçantë: cikli i tij i poezisë mbi Skënderbeun sjell shpirtin e kohës së heroit dhe gjithkohshmërinë e vlerave të tij, në të ai satirizon nivelet politike të të “mëdhenjve” diplomatë në kurriz të të “vegjëlve”. Përbeton ligjërimin e tij për figurën madhështore të Skënderbeut dhe udhët e përgjakura ku nisën tragjeditë e lirisë.

Fatos Arapi pas rënies së komunizmit, në vitin 1991, botoi poezinë “Atdheu”, imazhi e ndjeshmëria lidhur me emocionet dhe ngjyrat patriotike të aspektit dramatik të së kaluarës, të së tanishmes dhe të nesërmes. Atdheu është dhimbje dhe pikëllim, premtimi që të bëhet sapo lind dhe tani ai ka sy të trishtuar, dashuri e humbur, buka e dashur, është ëndërr, ankth e shpresë e sfilitur, është varr i hapur, një paradigmë nga jeta te pragu i vdekjes.

Në vitin 1999, ai hedh poezi të tjera si “Kjo ndodhte në Madrid”, që sjell ndër mend proceset ekzistenciale tek njeriu si jeta-vdekja, shpresa-tragjizmi, malli-pikëllimi, mishërim pas dheut – fat i përjetshëm i lindur. Kësaj i shton edhe “Duke u nisur për Zyrih”. Antagonizmat shpërfaqen. Këto të kundërta bëhen të gjalla dhe bashkëveprojnë harmonishëm në poezi, si e adhuruar-e urryer, e afërt-e largët, e ngrohtë-e ftohtë, mbresa të cilat i ngjall atdheu autorit.

Vëllimet me poezi “Ku shkoni ju statuja” dhe “Dafina nën shi” (1991) hedhin një rrugë për një projekt poetik.

Pesë vëllimet që do të pasojnë dhe që shtrihen brenda dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit: “Ne pikëllimi i dritave” (1993), “Më vjen keq për Jagon” (1994), “In Tenebris” (1996), “Gloria viktis” (1998) dhe “Më duhet një gjysëm ëndrre” (1999) shprehin lirikën e tij në zhanrin e letërsisë shqitpare. Këto vepra shprehin pikëpamjet metafizike, dritëhijet, absurdin, dëshpërimin, shqetësimet madhore, qenien, njohjen dhe mendimin për hapësirën shqiptare në atë universale.

FATOS ARAPI

Poeti Xhevair Spahiu, duke qarë për vdekjen e mikut të tij

Gjatë vitit 1996, Fatos Arapi shkroi zymësisht për kohën shqiptare (In tenebris). Dhe ja, përsëri s’ka rrugë ku mund të nisesh, ku mund të arrish.

Edhe liria bëhet bashkëudhëtare me skllavërinë, lirinë e dhënë në falsitet dhe në rrënojat e mendimit pafre. Liria e dhënë për të marrë drama dhe tragjedi të një trazicioni të pafundmë, terr, kudo këtu është kufiri i një njeriu që fanitet. Liri që ndjell vdekje.

Në vitin 1995, ai hedh dy poezi: “Në Tiranë ka vetëm Tiranë”, të shkruar këtu e dhjetë vjet të shkuara dhe “Mall për ty në Tiranë”, në vitin 1995. Tek këto poezi përshkruan dinjitetin e nëpërkëmbur shqiptar për një gjysmë shekulli, i cili zgjohet i egër, agresiv.
Fatos Arapi është personaliteti që i humbi Shqipërisë, iku, u shua dhe një yll në shumësinë e krijimtarisë letrare, një zë plus që i thërret ndërgjegjes shoqërore e sidomos lirisë.

Një letrar që të zgjon me kontraditat njerëzore dhe të hedh në rruginën që duhet të ndjekësh. Këto kontradita ku po shpërfaqemi janë brumi ku Fatosi përgatiti veprën njerëzore. Ai i përngjitet si fjala-letrës rreshtave të pafundme kuptimesh, ndjenjash dhe ngelet aty për të apasionuarin e radhës, ai ngriti një tempull të papërsëritshëm në kulturën shqiptare, u ngjiz dhe u shkri në fjalë.

Gloria Victis (Lavdi Humbësve)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.

Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit