MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Kur patriarkët e letrave i përgjigjeshin kërkesës për ndihmë në 1990-ën…

23.08.2017 - 09:08

LETËRKËMBIMET/ Nuk ishte e vështirë për mua që të kuptoja pas tre-katër ditësh qëndrimi në PD-në e vitit ’92 se shumë gjëra që po vinin, do të ishin një përsëritje e mjerë e të dikurshmes. Regjimi i vjetër e kishe korrur me kohë elitën e vjetër dhe ajo që u krijua mbas vitit ’44 e më vonë në vitin ’90, kur regjimi dha shpirt, ishte e varfër materialisht dhe e shkatërruar psikikisht.

Mbetej, sipas mendjes sime, t’u kërkohej ndihmë atyre që kishin ende autoritet. Ju luta së pari Berishës që të vinte në krye të qeverisë së re Jusuf Vrionin, që të kuptonim se kjo e fundit duhej të ishte gjë serioze…

Ishte përpjekje e kotë. Nuk mungonte vetëm dëshira e Berishës, por së pari e vetë Vrionit, që dinte pak më shumë se të gjithë ne se çfarë do të përftohej nga revolucioni demokraktik.

Në emigrim në Gjermani, ku ika pas shumë pak kohësh qëndrimi në PD, miqtë m’u lutën të bëja një gazetë. Duhej ndihma e Ismailit, që nuk e njihja fizikisht. Ai m’u përgjigj menjëherë dhe për disa vjet botoi pa marrë asnjë honorar prej saj.

Të njëtën gjë bëri dhe Dritëroi. Ai jo vetëm botoi shumicën e intervistave apo artikujve te pararendësja e Konica.al, por i kushtoi dhe librin e tij « Tështimat e lirisë ».

Botimi i letërkëmbimit me Ismailin nuk lidhet vetëm me arsyen për të treguar vijimësinë e kësaj përpjekjeje që filloi me Dita –Informacion dhe vazhdon me Konica.al… Sot, më shumë se atëherë, jam i bindur që më shumë se ajo që quajmë opozitë zyrtare dhe që është kalbur prej kohësh, duhet të rikthejmë sytë edhe një herë te autoritetet morale dhe njerëzit që vërtet janë gati të sakrifikojnë për rimëkëmbjen e vendit.

Kjo është një domosdoshmëri uluritëse në një vend që po vuan pasojat e një sjelljeje të keqe dhe rrënuese në çdo sferë të jetës dhe ekonomisë prej njëzet e pesë vjetësh nga rënia e regjimit komunist.

LETËRKËMBIMET

5 shkurt 1993, Sarbryken

Zoti Ismail Kadare,
Në një takim të rastit me Ju në Paris, verën e vitit kaluar, (ishim bashkë me P. Zogajn në makinën e familjes Tota), unë Ju thashë se për Shqipërinë tonë situata është njëlloj si të “Viti i mbrapshtë”. Këtë gjë Ju do ta keni konstatuar më qartë, se disa ditë më vonë ishit vetë atje. E keqja është se kjo tragjedi po luhet pa heronjtë e Shestan Verdhës. E nëse kërcënimet me armë, hordhitë e ushtrive, mungojnë, një tregti e çuditshme si ajo e spanjollëve me indianët po lulëzon.

Kjo do të thotë se dhe qeveria më e mirë në botë të vijë në Shqipëri, pas disa vjetësh do t’i duhet dhjetëfishi i parave për të meremetuar diçka. Nëse do të flisja me gjuhën e librave Tuaj, intelektualët, edhe ata më të ndershmit, për arsye të luftës për ekzistencë, janë në pozitën e atij personazhit Tuaj që u gjet në një skaj me grykë të vetëçjerrë, pastaj ishte munduar tërë natën për të bërë vjershën. Për të tjerët, lufta majtas e djathtas për të formuar partira e ka shndërruar shtypin në një tribunë, të cilën mileti e lexon me kënaqësinë që jep komenti për kampionatin e futobollit.

E me një fjalë, nëse do të krahasoja kohën e Shestan Verdhës me të tanishmen, do të perifrazoja një nga ustallarët e dialektikës në lidhje me një histori e cila shndërrohet në farsë.

Nganjëherë mendoja se këto janë vështirësi që do të eliminohen nga zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, ndjenja patriotike, etj., që do të ndihmojnë procesin e ringjalljes, po kjo më duket përsëri e pamundur. Nuk ekzsitojnë më ato kondita, ku edhe thirrjet më të pastra naconaliste të venë në veshët e njeriut. Duket se interesi personal, për të cilin flet xha Gobseku i Balzakut, është vërtet e vetmja ndjenjë reale. Nga ana tjetër, për të konstatuar tablonë e breznisë së Hankonatëve (për mua, bashkë me “Vitin i mbrapshtë”, janë librat Tuaj më të mirë) në një Shqipëri të hapur, ku fryjnë të tëra erërat e Evropës, kjo është e pamundur.

Asnjë lloj ndjenje nuk mund ta ribëjë Shqipërinë. Ju e dini më mirë se unë se kjo është luftë që nuk e bëjnë armët, por një lloj tjetër lufte, që i bën njerëzit të marrin arratinë sa më parë nga vendi që quhet Shqipëri. U zgjata shumë, po meqë unë s’kam pasur asnjë herë tjetër kontakt me ju, thashë të kompensoja diçika.

I nderuar zotëri,

Unë i kam ndjekur me vëmendje e admirim përpjekjet tuaja për atdheun, nuk kam qenë dakord me konceptin e “miqve” të mi shkrimtarë e politikanë që mendojnë se ju po heshtni. Përpjekja për të ndihmuar njërën ose tjetrën parti është sot në Shqipëri njëlloj si të mohosh vetveten, nga ana tjetër, koncepti i tyre për ndihmën që duhej të jepnit ju, është për mua koncepti i njerëzve tregtarë që e shohin gjeniun si një copë e madhe mishi ku të gjithë vijnë rrotull duke lëpirë buzët për të prerë një copë të mirë.

Unë vetë besoj se intelektualët e njerëzit e mëdhenj duhet të krahasohen me Kutinë e Ajnshtajnit, grupi i parë i poltikanëve e udhëheqësve me të cilët merret pas vdekjes vetëm ndonjë dramaturg i dytë i inxhinierëve, doktorëve të shquar, etj. Këta rrojnë pak më gjatë. Te i treti hyjnë njerëzit që me idetë e tyre inspirojnë gjeneratat që vijnë, njëkohësisht unë i kam ndjekur me vëmendje edhe përpjekjet e patriotit të madh Rexhep Qosja, por thirrjet e tij do të vazhdojnë të mbeten në shkretetirë si thirrje idealiste. Për një kohë të gjatë parlamenti i Samiut të madh do të jetë te ne vetëm ëndërr, por a mund të realizohet diçka praktike.

Ka shumë mundësi që ju të shihni idenë time si romantizëm. Sido që të jetë kjo, do të ishte më e mirë se të mendonit diçka tjetër më të keqe. Unë vij nga një famije shumë e varfër. Im atë punonte në këneta, mëma ime ishte pastruese. Për shaka të një gjyshi 65 vjeç që u arratis në ’45-ën, analfabet i varfër i paimplikuar, por i frikësuar, sepse ishte i ardhur në fshatrat e Kolonjës nga ato fshatra shqiptare që sot i përkasin Greqisë, në luftë për bukën e gojës hyri në kontradiktë me fqinjët dhe site “Kasollja e Ibanjezit” u shkatërrua aq shumë sa ia mbathi, unë dhe im vëlla ngelëm pa shkollën e lartë, me gjithë rezultatet e mira.

Për fatin tim të mirë, në Lushnjë, ku banoja, rronte një njeri i mirë me emrin Skënder Çarçani. Ai kishte mbaruar në universitetet e Italisë dhe të Francës, zotëronte 7-8 gjuhë dhe luante shkëlqyeshëm shah. Kështu unë plotësova një pjesë të kulturës. Në “Rrëmujën Revolucionare” të ’90-ës unë pashë shumë shpejt se pushtetin do ta fitojnë komunistët ambiciozë, por pa pushtet në kohën e Enver Hoxhës.

Me një fjalë, siç thotë im atë, fshatar i varfër, me tri klasë, që i ndan njerëzit në xhins ose harbutë (s’di përkufizim tjetër), përsëri në Shqipëri do të fitonin harbutët. U nisa në Gjermani, ku rroj në Sarbrucpen, prej 2 vjetësh. Ndjek universitetin e Hagenit për ekonomi e drejtësi, punoj në një spital e ndonjëherë luaj shah, edhe nëpër turne, ku fitoj edhe vende të para me mjeshtra edhe të mëdhenj.

Këto do të mjaftonin për të mbushur diçka në jetë. Politika s’më intereson, më intereson fizika dhe ligjet e natyrës, duke e dashur pa kufij dialektikën, unë mundohem ta gjej lumturinë duke hulumtuar mendimin e saj se ligjet e natyrës të shoqërisë e të menduarit ecin në të njëjtën rrugë e janë të njëjta, por vetëm se ndryshojnë veshjen e vetëm runiteri metafizik thotë që për të njëjtin ligj kemi tre të ndryshëm. Sidoqoftë, kjo tentativë më ka mbushur me një uri të ndryshme në fushat e shkencave të natyrës. Gjithashtu më ka mbushur mendjen se një e vërtetë mund të jetë e qëndrueshme nëse vërtetohet njësoj në tri fushat që përmend Dialektika.

Lexoj në disa gjuhë. Jeta për një kohë të gjatë në Shqipëri në llumin e saj më ka mësuar të dalloj njerëzit dhe ambiciet e tyre. E përpara së gjithash jam shqiptar nga Kolonja. Kur i dëgjoj këngët “Mbeçë, more shokë, mbeçë” ose “pashë një ëndërr e me llahtari, dola majë Gramozit shtira në dylbi, pashë tërë Kolonjën e djegur bërë hi”, unë qaj. Më vjen të ulërij të shkoj në Shqipëri ta kap për fyti atë qelbanik që i dërgon bagëtitë e Shqipërisë për t’I këmbyer me lecka greke, në emër të lirisë së tregut.

Më vjen të ulërij kur shoh 300000 shqiptarë që për shkak të varfërisë të venë e të poshtërohen duke ndërruar edhe emrat për një copë bukë e një thes me lecka në Greqi. Duke kursyer lekët për dy vjet me radhë nga puna e shahut, unë dërgova në Shqipëri gjithë materialet që duhen për një gazetë të pavarur. Kjo gazetë s’do t’i shërbejë asnjë partie, sepse për mua ato janë të tëra njësoj. Ëndërroj që ajo që s’realizon dot patrioti Rexhep Qosja me njerëz të gjallë le të bëhet në një gazetë të pavarur. Unë do të vë gjithë forcat që të mos shkruajnë batakçinjtë.

Gazetën ia kam besuar Iliran Zhupës, pasi mora më parë mendimin e Dritëroit, që e kam mik. Unë s’dua të fitoj lekë. Më mjaftojnë ato që fitoj këtu. Në nxjerrtë fitime gazeta, le të marrin studentët e varfër për të vazhduar shkollën që mua ma mohuan. Po unë dua që aty të shkruajnë patriotët dhe mendjet tona të ndritura, do t’i shkruaj ose dhe me fax prof. Rexhepit, por s’ia di adresën. Do të isha i lumtur sikur ju të shkruanit ose të bashkëpunonit atje kur të gjeni pak kohë të lirë. Dritëroi ma dha fjalën. Po edhe në mos pranofshi, më ndihmoni me ndonjë sugjerim. Unë besoj se me ndihmën tuaj do të realizohet diçka nga parlamenti i pleqve të urtë që Samiu i madh përmend në veprën e Tij.

7 shkurt 1993, Paris

I dashur Zoti Nazarko,
Ju falënderoj për letrën Tuaj. Ajo më dha atë kënaqësi që marr sa herë dëgjoj ose lexoj mençurinë dhe kthjelltësinë shqiptare në këtë kohë kur marrëzia shpirtërore për fat të keq kërkon të bëhet zotëruese në atë vend. Më gëzoi veçanërisht fakti që ju, pavarësisht që ndieni një dëshpërim të thellë dhe ndoshta jeni pak më shumë pesimist se ç’duhet, megjithatë kërkoni të bëni diçka, rrjedhimisht shpresoni në diçka. Unë do të ndihmoj me gjithë zemër revistën ose gazetën që mendoni të botoni. Më dërgoni adresë e saj dhe mundësisht ndonjë kërkesë të saj- p.sh : ndonjë intervistë dhe të jeni të sigurt se do të përgjigjem menjëherë. Edhe një herë, ju falenderoj për inteligjencën dhe fisnikërinë Tuaj.

Miqësisht, Ismail Kadare

10 mars 1993, Sarbryken

Zotit Ismail Kadare,
Është e kotë të them sa u gëzova nga përgjigjja Juaj mirëdashëse. Ju lutem, Zotëri, të ndëshkoni atërisht gabimet që rrjedhin shpesh nga miqësitë e pabarabarta. Unë do të mundohem të përligj besimin Tuaj. Jam 34 vjeç, kam vuajtur shumë dhe shpresoj të jem shkëputur nga krenaria boshe provinciale që vjen nga ambientet që ju i njihni më mirë.

Gazeta quhet “Dita Informacion”. Do të dalë 2 herë në javë, me 8 faqe, ka të drejtën e suplementëve (d.m.th. mund të dalë dhe çdo ditë me 2 faqe) për të ruajtur aktualitetin e lajmit. Ajo e ka qendrën në rrugën “Hodo Bej” (diku midis hotel “Arbana” dhe qytezës “Studenti”). Për të ruajtur korrespondencën Tuaj më sigurt, mund t’i shkruani Ilirianit (Zhupës) në zyrën e Komitetit të të Drejtave të Njeriut, që ndodhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gazeta mund të fillojë në mars. Do të lutesha për një përshëndetje simbolike për numrin e parë të gazetës.

Do t’Ju lutesha t’i dërgonit një letër me rekomandime për të ecur puna mbarë. Kjo është e rëndësishme. Unë kam menduar se tek ne duhen gjithë-gjithë dy gazetat të pavarura për gjithë vendin. Nëse “Koha Jonë” jep një lloj shembulli, një gazetë në Tiranë mund të kishte premisa për të qenë kombëtare. Në letrën Tuaj kishte një fjalë që s’e kuptova (më dërgoni mundësisht ndonjë kërkesë të saj p.sh ndonjë ka të ngjarë Intervistë). Në është kështu Ju lutem thuajani në letrën Tuaj Ilirianit.

I dashur Zotëri,

Gazeta është pajisur me mjete relativisht të mira përkundrejt të tjerave. Pa ka –benzinë- për pak rrugë (kjo në lidhje me çmimet astronomike që valojnë te ne). E nëse Zhupës i besoj për ndershmërinë, mjetet dhe për njëfarë talenti natyral, “në luftën praktike ai do të ngelet poet që i këndon vetëm lumit të fshatit të tij. Iliriani ka marrë liçensën për shtëpi botuese, gazetë e revistë”.

Ai mendon të përmirësojë financën tonë duke botuar librat e shkrimtarëve tanë të shquar në Shqipëri e Kosovë. Kjo ide është për mua e panjohur dhe larg interesave të mia. Unë mendoj se për një kohë të gjatë tek ne asnjëri s’mund me para të fituara ndershmërisht t’i hyjë kontratave serioze. Së dyti, edhe Balzaku i madh që i konstruktonte gjenialisht në mendim “anabaset” në fund ishte i detyruar të ndërtonte shtëpinë për t’u shpëtuar thonjve të kreditorëve e policisë.

Unë do të ëndërroja ndërtimin e një “këshilli drejtues”, ku të bëni pjesë Ju, Dritëroi, prof. Rexhepi. Kjo do të konturonte gazetën e njëkohësisht të ishte ndihma më e mirë financiare. Po unë e njoh kreditorin më të mirë, Gobsekun, përmendësh. Ai s’i jepte kredi njeriu të paaftë dhe nëse bindesh për ndershmërinë e tij. E kjo me plot të drejtë – siç i thoshte ai – i detyruari merret në qafë më shpesh se kreditori.

Më mbetet të shpresoj në shkrime më të shpeshta nga personalitete në periudhën fillestare. Do të isha i lumtur, Zotëri, të dija mendimin Tuaj për këtë çështje.

Ndërkaq unë kuptova sugjerimin Tuaj (revistë ose gazetë). Unë i njoh epërsitë e revistës, (për shkak të kohës së gjatë midis dy numrave ekziston mundësia për të korrigjuar veten dhe të tjerët). Po për shkakun se do të duhet një kohë e gjatë që tregtari ynë ambulant i qofteve të ndërtojë një restorant të qetë, që elita jonë intelektuale të mos vejë te ish-muzetë vetëm se kafja është më e lira, po për shkakun se fshatari ynë (70 për qind e kombit) do t’i duhet kohë për të ridashuruar tokën e jo për të “okupuar” qytetin si dhëndër, ose për t’ia mbathur në Perëndim (jo për të blerë kalë, por çizme me majë) – unë mendova të bëja gazetë.

Më falni, Zotëri, për letrën e gjatë dhe për “harbutërinë” e të shprehurit. Ndoshta kjo ka qenë e vetmja gjë që më ka lehtësuar vuajtjet atje në fëmini, ndoshta se unë e quaj të vetmen metodë për ta dhe për faktin se Ju më lumturuat me letrën Tuaj.

Me respekt,
Shpëtim Nazarko

20 mars 1993, Paris

I dashur zoti Nazarko,
S’kam patur kurrfarë arsyeje për të mos iu përgjigjur letrës suaj të dytë, por ngarkesa e shumtë e punëve më ka detyruar të jem zakonisht i pasjellshëm dhe t’u përgjigjem rrallë letrave që marr. Përndryshe do të isha i detyruar të braktisja punën e shkrimtarit duke fituar si shpërblim namin e njeriut të sjellshëm.

Kam përshtypjen se ata që më shkruajnë, sipas një kodi të heshtur, e kanë kuptuar këtë, madje shumica e tyre, për të më çliruar, siç duket, nga ndonjë vrasje ndërgjegjeje, nuk harrojnë të nënvizojnë se nuk presin përgjigje. ( Ju lutem, mos e merrni këtë si ndonjë sugjerim apo ndonjë qortim të tërthortë). Letrat tuaja kanë qenë për mua një kënaqësi, çka ndodh me njerëzit që, për arsye të ndryshme unë i çmoj, dhe hyni pa kurrfarë dyshim në radhët e tyre.

Po ju dërgoj atë si përshëndetje –ose urim që më keni kërkuar, sa për intevistën e “Stampës” ajo ishte një bisedë mediokre, dhe unë do të parapelqeja në vend të saj një intervistë me Ju, për gazetën tuaj.

Duke ju uruar gjithë të mirat,
Ismail Kadare
PS: Në qoftë se nuk do t’i përgjigjem ndonjë letre tuaj, mos mendoni se nuk e pres me po atë interes letrën tjetër prej jush.

25 mars 1993, Sarbryken

Zotit Ismail Kadare
Shumë i dashur dhe i nderuar Zotëri,
Gëzimin e përgjigjes për letrën Tuaj nuk arrita ta shijoj. Dy orë më vonë urgjenca e natës (makina) më dërgoi në spital, për temperaturë 40 gradë dhe stomak të acaruar. Më mbajtën tri ditë me serume dhe vendosën të më operonin.

E keqja themelore ishte se në Saarbruzen zhvillohej një turne shahu ku merrte pjesë dhe Viktor Korçnoi, një nga figurat më të mëdha të shahut. U arratisa natën nga spitali dhe luajta turneun. U gëzova si çunak i keq. Zotëri, qe “arma” ime e vjetër shpëtonte nga luftrat për biografinë me instruktorët partiakë, më nxori faqebardhë.

Gazetat gjermane shkruajtën se një fantazmë nga Shqipëria u vërvit nga salla e operacionit në podiumin e fitores duke lënë në vend të dytë Korçnoin e madh. Sidoqoftë, këtë “trimëri” e pagova me 7 ditë të tjera vuajtje. Po tani jam mirë.

Përshëndetjen Tuaj dhe atë të Prof. Rexhepit e dërgova. Sipas llogarive, duhej të dilte numri i parë, po Ju e dini sa “bukur” shkojnë punët te ne. Kështu Iliriani më kërkoi dhe 10 ditë kohë, d.m.th., këtë javë që vjen. U organizua dhe një tip mbledhje me gazetarë e intelektualë të fushave të ndryshme.

Pata në realitet dhe një grindje të vogël me Ilirianin, sepse ai e sheh si të drejtë ekskluzive të tij platformën e gazetës. Po unë nuk lëshoj pe për këto gjëra. Kam frikë se ideologët partiakë do ta fusin në thes. Theksova prerë se vetëm Këshilli botues bën linjën.

Ndërkohë gjendja atje është shumë keq. Ka filluar fushata e spastrimeve si në ’45. Presidenti, dhe sikur vërtet të kish vullnetin e mirë për të riparuar diçka; gjendet i rrethuar nga banditë të vegjël që të kujtojnë librin e Tarlesë për Napoleonin… tregtarët e vegjël të Parisit shqyheshin gazit kur dëgjonin se ai është i pathyeshëm:

Ju faleminderit dhe një herë për vëmendjen që më kushtuat.
Me respekt,
Shpëtim Nazarko

Ndërsa Dritëro Agolli, në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin e dhënë nga gazeta Dita Informacion, i kushton librin e tij me titull “Tështimat e Lirisë”.

Këtë libër ua kushtoj me dashuri miqve të mi, vëllezërve Nazarko, -Shpëtimit dhe Mentorit, – që me ngrohtësi dhe sjellje njerëzore janë bërë nxitje për ta botuar një pjesë të publicistikës sime në faqet e gazetës së tyre atdhetare “DITA Informacion”, gazetë që mbeti për mua nga më të çmuarat.