MENU
klinika

Nga Petrit F. Zeneli

Ka pasur të drejtë Lamartine!

15.02.2020 - 18:45

“Nëse të duhet ta shikosh njëherë botën, shiko vetëm Stambollin, ka thënë dikur poeti i famshëm francez Alphonse de Lamartine (1790-1869). Perëndia dhe njeriu, natyra me artin, të gjitha së bashku, kanë krijuar atje një vend kaq të mrekullueshëm, sa që ia vlen ta shikosh”.

Por unë jam ndoshta ndër shqiptarët e fundit që e vizitova këto ditë, falë mbështetjes së Presidentit të Fondacionit ALSAR, zotit Mehdi Gurra. Pikërisht, nisur nga kjo vonesë, është e tepërt t’ju flas për historinë dhe vlerat e shumta të Stambollit, megjithatë, përshtypjet personale dhe emocionet që përjetova atje, s’po rri pa i ndarë me ju.

Deri i frikshëm duket për nga madhësia fizike e demografike (mbi 16 milion banorë), që ngulur këmbët e gurta mbi dy kontinente të vjetër (Euro-Azi), në Golden Horn, ndjek si fluger erërat lindje – perëndim, stoik në hapësirën e pafundme të tij! Befasues, kundrejt çdo imagjinate a përfytyrimi, – një qytet-shtet gjigand, plot hapësirë, frymëmarrje e dritë, tejet i pastër, me rrugë e trotuare të gjera, transport publik modern, ndërtesa e gradiaciela tërë finesë, njerëz të thjeshtë e miqësorë, që vrapojnë si bletët drejt qendrave të prodhimit, auditoreve dhe tregtisë. I pashëmbullt në labirinthin dehës të ngjarjeve historike, arkivuar me fanatizëm në çdo cep, muzeve, mureve rrethues të Stambollit të vjetër, parqeve, objekteve shumëshekullore të kultit (qindra mijëra xhami), shtatore, pllakata etj, magjiplotë dhe trullosëse në masë të barabartë, nga e vjetra tek modernia.

Marramends në skenografinë gjigande arkitekturore, shpalosur mjeshtërisht mbi shtatë kodra, që s’arrin të kuptosh se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra; ndarë në zonat, Eminonu, Fatih, Beyoglu me Galatas e Besiktas, Scutari me Kadikoy e Adalar etj. Alternim i përsosur, deti Marmara – ura lidhëse – qytet, të cilat funksionojnë si një organizëm vital pa makiazh, që s’njeh kurrë pleqëri. Atraksione turistike të papërsëritshme si: Blue Mosque, Hagia Sophia, Topkapi Palace, Grand Bazaar, Yedikule, Xhamia Suleymaniye, Kulla Galata (61m), Pallati Dolmabahçe, Sheshi Taksim, Muzeu arkeologjik, Obelisku i Teodosit (mbi 3500 vjeçar), Ura e Bosforit, Yeni Xhami, Xhamia Fatih, Xhamia Eÿup, Çelebi etj.

Bollëk në ushqime, asortimente pafund gatimi, çaji tradicional gjithëditor, por askund sytë s’më panë obezë! Dyqane, vitrina e lokale plot, por dhe çmime të arsyeshme. Stambolli live nuk është ai i telenovelave plot vrasje, intriga, ankthe, dashuri, tradhëti dhe urrejtje, por tepër miqësor dhe i dashur, jo vetëm për vendasit, por dhe për miliona vizitorë nga të pesë kontinentet e botës që vërshojnë lumë aty çdo ditë. Për çka theksoj më sipër është pjesa e dukshme, ajo që sheh syri i një vizitori dhe turisti, përtej politikës dhe analizave të brendshme, por siç thotë një shprehje e jona, “ç’ka avllia, ka shtëpija”.

Synimi im në këtë vizitë s’ishte thjesht turistik, por edhe njohja me historinë e lashtë të Stambollit, gjë që ma mundësoi vizita e gjatë në Muzeun Arkeologjik, si dhe në pesë xhamitë kryesore (vërtet kryevepra të arkitekturës botërore, mbrojtur nga UNESKO). Prej tyre fotografova aq sa më lejuan e sa munda, duke i prezantuar këtu. Por më kryesorja ishte njohja me gjurmët dhe historinë e shqiptarëve të shquar atje. Padyshim, ai që të mbush plot krenari është Hoxha Tahsin, rektori i parë i Universitet të Stambollit, ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. “Zyrtarisht, universiteti u formua më 1869, sipas një dekreti perandorak… dhe u hap në shkurt 1870, në një ceremoni madhështore të pritur nga kryeveziri Ali Pasha, ministri i Arsimit Safvet Pasha dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Hoxha Tahsin, i cili kishte dhënë mësim në Shkollën Osmane në Paris, në vitin 1857, u caktua rektori i parë.

Po çfarë shkruante Sami Frashëri për Tahsinin, njëherësh mësuesin e tij?! “…Mbarë njerëzimin ai e shikonte dhe e quante si një familje të përbashkët.…Mërzitej nga ndasitë që ishin ndërmjet njerëzve…Të gjitha lutjet në zemrën e tij të pastër i përkisnin mbarësisë dhe dobisë së njerëzimit”. Pikërisht ky humanizëm mbinjerëzor i Hoxha Tahsinit, më frymëzoi dhe mua t’i doja gjithë stambollinjtë ato 7 ditë, të lutesha për një paqe në botë e të më merrte malli për Shqipërinë time aq të vogël, parë nga lartësitë e atij “amfiteatri” gjigand. Por kurrësesi, s’mund të largohesha prej këtij qyteti magjik, pa prekur dhe atë tokë ku kishte shkelur këmba e djalit tonë të shquar nga Panariti i Korçës, Iljas Bej Mirahori. Në lagjen Jedikule gjendet ende Xhamia Imirahor Ilias Bej, 1486, e cila më parë kish qenë kishë, në kohën e Sulltan Bajazitit të Dytë. Kujtojmë se pikërisht ky i fundit, për shërbime të çmuara në marrjen e Konstandinopojës, më 1453, përmes katër dekreteve të veçanta, i kish dhënë në pronësi Iljas Beut fshatrat e krahinës tonë, që më pas i shndërroi në Vakuf, si dhe Peshkëpinë në Korçë, që e madhoi dhe shndërroi në qytet, në vitin 1496.

Fotografova e pashë gjithçka në këtë vend të shenjtë, edhe Silivrin, ku ai kish treguar trimëri të jashtëzakonshme në luftime; edhe xhaminë e varrin e Sulltan Bajazitit të Dytë,… Dhe figura e birit të Panaritit ngrihej madhështore para syve të mi, për aktin e lartë që kreu me Korçën, duke e derdhur gjithë pasurinë e fituar për të, e mbi të gjitha duke mbetur bamirësi më i madh i të gjitha kohërave për Korçën, pasi veç ndërtimit të qytetit, ai me urdhër të veçantë strehonte dhe ushqente falas gjithë banorët e Vakëfeve, që vinin për hall apo për Pazar në këtë qytet; bamirësi që vazhdoi edhe pas vdekes së tij, prej mëse katër shekujsh. Kaq për këtë herë, se historitë me Stamboll nuk mbarojnë kurrë. Në vajtje i ramë nga Shkupi (mbi 16 orë rrugë) e nga padurimi për të mbërritur sa më parë atje, ndërmend sillja kujtime nga fëmijëria, që në atë kohë më çudisnin. Kështu p.sh, në shumë familje mbaheshin si gjëra luksi enët, ibrikët dhe sinitë e kallaisura, të sjella nga Stambolli, që farfurinin nëpër sergjenë. Tasat, pjatat, xhezvet dhe lugët, me zbukurime, kryesisht përdoreshin për miqtë.

Orët e floririt dhe tespijet e fildishta i ekspozonin pleqtë në jelekë e qostekë. Fjalët e një kënge tradicionale, që këndohej nëpër dasma kur rruhej dhëndërri, thoshin: Fryu era dhe e solli, këtë berberin nga Stambolli, me ngadale briskunë, se i prish mustaqenë, në e prefsh more berber, bëja faqen me sheqer, Berberi që nga Stambolli, ç’e mirë këtu e solli, që të rruajë filan benë, tamam sikur rruan mbrenë, etj, etj. Një këngë tjetër i këndonte dhimbjes për djemtë që Stambolli merrte qëmoti nizamë; dhe më e bukura, flitej se një burrë nga fshati Melckë e Skraparit, kur ishte kthyer nga kurbeti (Stambolli) kishte sjellë në shtëpi një vare për të thyer gurë, shumë e rëndë. E qesëndisën bashkëfshatarët, që nuk solli veshje e para, por vare. Me kalimin e kohës filluan t’ja kërkonin të gjithë, dhe ai (që s’mbante inat) nuk ja u kursente, se vetëm ajo të hidhte hallin kur kishe gurë të mbëdhenj. E që atëhere mbeti shprehja e famshme në ato zona, “ ai do varenë e Melckës”!

Në kthim i ramë nga Selaniku e Kapshtica. Pas lashë shumë kujtime, mora me vete emocione, foto, bakllava e llokumet tradicionale turke, veçse s’mësova dot pse kish mbetur shprehja “hip këtu të shikosh Stambollin”, ndoshta nga pamundësia për ta parë atë të gjithë njëherësh! Fatmirësisht, ato që unë ruaja nga fëmijëria i gjeta nëpër muze, por dhe në Pazarin e Madh mbi 500-vjeçar (më i madhi në botë, me 4000 dyqane, 25 mijë shitësa dhe mbi 500 mijë vizitorë) Sa shumë kanë ndryshuar kohët dhe sa e vogël duket bota sot! Brenda ditës mund të kalosh nga një kontinent në tjetrin dhe ndihesh pa asnjë kufizim qytetar i rruzullit. Shumë gjëra s’ti mësova dot këtë herë Stamboll, ndoshta (me kismet) mund të takohemi përsëri…?! Lamartine ka pasur të drejtë!