MENU
klinika

Mentor Nazarko

Lufta për kohën në Greqi dhe me Greqinë

18.10.2018 - 00:24

Në një lëvizje surprizë, si për të theksuar zëshëm ciklin e ri të rrezikshëm ku mund të hyjë politika greke, ministri i jashtëm i vendit fqinj, Nikos Kotzias dha dorëheqjen.

Profesori i sociologjisë, marksisti i dikurshëm, zgjodhi të veprojë me dinjitet brenda kabinetit të vet, pa u zvarritur ndonëse situata brenda qeverisë së kryeministrit Cipras është delikate dhe çdo votë, pra dhe e ministrit të mbrojtjes, ekstremistit të djathtë Kamenos dhe partisë së tij në parlament, është e shtrenjtë.

Për më shumë ato shtrenjtohen në llogaritë e ardhshme elektorale ndërsa zgjedhjet zhvillohen vitin e ardhshëm dhe sondazhet japin për fitues konservatorët e djathtë. Kriza financiare është lënë pas krahëve dhe konservatorët, që kishin pjesën e tyre në krizë kanë fituar terren.

Është një luftë për kohën, jo thjesht për Greqinë, por për politikën e jashtme të saj.

Në përpjekje për të dhënë idenë e vijimësisë së politikës së jashtme të Kotzias, jo thjesht për marrëdhëniet me Maqedoninë, por dhe në plan global, por në fakt për të mos hapur telashe të tjera duke kërkuar ministër të jashtëm, Cipras tha se do të bëhej ai ministër i jashtëm dhe do të punonte për jetësimin e marrëveshjes së Prespës.

Por të gjithë e dinë se Cipras shumë rrallë ka folur për politikën e jashtme dhe përgjithësisht ka besuar në veprën e kryediplomatit të tij.

Pse luftë për kohën?

Marrëveshja me Maqedoninë ka dy anë. Ekziston rreziku që dhe nëse numrat për ndryshime kushtetuese sipas kësaj marrëveshje arrihen në Maqedoni, parlamenti grek që mund të hyjë në periudhën parazgjedhore, ta shtyjë atë. Për të mos e miratuar, nëse konservatorët vijnë në pushtet.

Dhe marrëveshja e Prespës, që afron Maqedoninë me NATO-n, duke zemëruar Rusinë, nuk është thjesht çështje rajonale, por globale.

Në luftë për kohën është dhe paqësimi me Shqipërinë, ku seti i marrëveshjeve, (detit, ligji i luftës, etj) pjesë e të ashtuquajturës Marrëveshje kuadër të partneritetit strategjik, gjithashtu po shtyhet në kohë, pak nga protagonizmi i Metës, i kufizuar nga një vendim shumë i ngurtë i Gjykatës Kushtetuese, pak nga takticizmi i qeverisë, apo dhe nga ndikime të tjera jashtë vendit.

Në këtë rrezikim të kohës greke, apo me grekët, ikja e Kotzias ka peshën më të madhe.

Si kurrë ndonjëherë nën udhëheqjen e tij, politika e jashtme greke, tentoi të rifitonte terrenin e humbur në Ballkan, apo rreth e qark Greqisë, ndonëse nën vështirësi të mëdha, me bjerrje serioze të autoritetit ndërkombëtar për shkak të falimentit financiar.

Posaçërisht në Ballkan, por dhe duke theksuar linjën properëndimore. Besnik i linjës së të majtës ekstreme greke, pro shqiptare, apo më afër shqiptarëve, trashëgimtare e luftëtarëve komunistë të Luftës së dytë botërore, ku ka ndikim gjithsesi përbërësja arvanitase, Kotzias tentoi ta dinamizonte diplomacinë e vendit të tij në rajon, duke u shtyrë, duke rivalizuar me Turqinë, e cila në fakt ishte imponuar fuqishëm.

Turqia gjatë krizës greke ishte bërë e pranishme jo vetëm në Shqipëri e Maqedoni, por dhe në Serbi, ministri i jashtëm i të cilës, i këndonte para pak muajsh këngën e Osman Agait para presidentit turk Erdogan.

Për të mundësuar këtë fuqizim të Greqisë në rajon, për të krijuar tregje të reja për ekonominë e ndrydhur greke, profesori i cili është politikani fqinj i cili ka shpenzuar më së shumti fjalë të bukura për shqiptarët, organizoi shumë vizita, takime, kortezira logjistike, festëra kulinarie dhe muzike, diplomacinë e monumenteve të Greqisë së lashtë, por jo vetëm kaq.

Ai madje ka bërë dhe tërheqje nga qëndrime që dukeshin të palëkundura. Sa më shumë koha kalonte dhe afroheshin zgjedhje, aq më shumë këto lëshime, zvogëloheshin dhe treteshin: armiku (rivalët konservatorë) tek porta, zgjaste hijen e vet.

Filloi të fliste për çështjen çame, korrigjimin e marrëveshjes së detit, paraprirë me siguri nga bisedime të pafundme me homologun e tij Bushati, në forume rajonale, për t’u tërhequr gjithnjë e më shumë nga pozicionet e mëparshme.

Një zot e di, sesi është reflektuar ky ndryshim në tekstet që palët kanë arritur të parafojnë deri më tani, por rreziqet janë serioze.

A do ndryshohen apo nuk do të firmosen kurrë njëlloj- kjo është çështja.

Sepse është plotësisht e vërtetë, dhe historikisht e provuar, se Shqipëria ka mundur të normalizojë marrëdhëniet më së shumti pikërisht me qeveritë e majta greke.

Në kushtet kur Greqia ishte në momentin e dobësisë së saj maksimale, këto marrëdhënie, të përkthyera në marrëveshje do të mund të prodhonin rezultatet më të mira. Nesër mund të mos jetë kështu. Është e sigurt se nuk do të jetë kështu.

Profesori i shëndetshëm, me humorin e tij cinik, iku dhe zgjedhjet greke po afrojnë. Me gjasë dhe shanset që Greqia të normalizojë cilësisht marrëdhëniet me fqinjët e vet, po humbin terren. Ndonëse Cipras është garant i vijimësisë, si u zotua, në lojën për Ballkanin është dhe faktori rus.

Greqia u acarua me të, për shkak të afrimit rusoturk, duke përzënë diplomatë rusë, duke u pozicionuar në mënyrë kritike për shkak të rolit destruktiv rus ndaj marrëveshjes së Prespës.

Megjithatë situata sot pas ikjes së Cipras ngjan komplekse: një vend i madh si Rusia ka shumë që t’i ofrojë njëherësh edhe dy shteteve rivale. Për këtë arsye sytë e Perëndimit, dhe NATO-s, ndërsa nga politika e jashtme e një vendi anëtar ikën një properëndimor si Kotzias, janë nga vizita e ardhshme e Cipras në Rusi në dhjetor…