MENU
klinika

Metrofest 2

“Mbesa e krahinarit”, dedikim për “krahinarët” e ditëve tona

06.10.2018 - 17:05

“Metrofest 2” është manifesti i dramës shqipe për këtë vit në jetën teatrore të vendit. Festivali është i bazuar në dramat shqipe të arkivës dhe po risjell në kujtesë vepra shumë të mira të autorëve shqiptarë.

Në radhë në ditën e 4 të “Metrofest” është drama e shkruar nga Kristo Floqi dhe e sjellë në skenë nga regjisori Aldi Hysotoçi. Për të sjellë këtë vepër të shkruar në vitet ’30, në aktualen e 2018 në skenë do të ngjiten: Luftar Paja, Xhino Musollari, Donald Shehu,​Alba Shtembari.

Në një fshat të Myzeqesë vjen për inspektim nga shteti Inspektori i lartë Myfetish Beu, një nga inspektorët më të rreptë të asaj kohe. Kjo vizitë nuk është e rastësishme, pasi kanë ardhur shumë ankesa për Krahinarin e Krahinës, i cili nuk merret me asnjë detyrë të tijën. Ndërkohë që Krahinari pret Inspektorin, një kaçak mali i lë në shtëpi të dashurën e tij të rrëmbyer. Krahinari e di fare mirë se, përveç dasmave, asgjë tjetër nuk ka bërë në krahinë, por, në shpëtoftë këtë herë pa u lagur, doemos do vërë rregull dhe disiplinë. A do ta zbulojë Inspektori vajzën e rrëmbyer në shtëpi të Krahinarit? Krahinari do t’i qëndrojë besnik mikut të tij e do ta fshehë vajzën? A do të dënohet Krahinari për zullumet që ka bërë gjatë kohës në detyrë? Po kaçaku i maleve a do të përplaset me Inspektorin? Një komedi nga Kristo Floqi, ku doket dhe zakonet, ligjet dhe rregullat, njerëzilliku dhe burrëria mpleksen aq bukur sa, jo vetëm na paraqesin realitetin e viteve 1930, por na japin mësime edhe për sot.

Një panoramë më të plotë për veprën, por edhe për shfaqjen e për mënyrën sesi ajo vjen në skenë për herë të parë e krijon vetw regjisori Aldi Hysotoçi në një intervistë ekskluzive për Konica.al

Si është për një regjisor të ri që të sjellë në skenë një dramë shqipe në një festival si “Metrofest”?

Në fakt të vësh një dramë shqipe në skenë është risk. Është risk përsa i përket strukturës së saj, përsa i përket karaktereve të ndërtuar dhe është e ndërlikuar përsa i përket gjithë aseteve që I nevojiten një regjisori nga një vepër letrare për të ndërtuar atë që ka në mendje. Profesori im, Milto Kutali, më thoshte gjithmonë: “Një regjisor, quhet regjisor kur ka vënë në skenë një vepër të vendit të tij.” Është detyrë e vështirë për një regjisor që sapo ka nisur karrierën. Është peshë e rëndë, por unë kam pasur fat të madh që kam pasur grup kompakt. Kam pasur fatin të punoj me Luftar Pajën që e njeh mirë veprën shqipe dhe kjo më ka ndihmuar që mesazhin e Kristo Floqit ta përçoj në skenë. Jo në 100% e vet, por duke ndërhyrë, duke ristruktuar në detaje dramën, për të sjellë një Kristo Floq që jep mesazhe aktuale edhe për ditët tona.

A ka qenë e veshtirë nga pikëpamja regjisoriale ndërthurja e së resë me të vjetrën, ndërthurja e energjisë së aktorëve të rinj me eksperiencën e Luftar Pajës?

E kam lexuar veprën gjatë një udhëtimi kur kthehesha për në Tiranë. E kam mbaruar kur kam mbërritur dhe impakti I parë ishte shumë pozitiv. Ndodh shpesh që ne si regjisorë I paragjykojmë për keq dramat shqipe dhe sidomos një vepër që nuk është vënë asnjëherë në skenë siç është “Mbesa e Krahinarit”. E dija që më duheshin aktorë të mirë dhe për mua të mirë janë aktorët që punojnë. Për këtë u bë një punë kolosale në audicione për t’I vënë aktorët në situata të vështira sa më pranë veprës së Kristo Floqit. Ndërsa zgjedhja e Luftar Pajës ishte krejt e natyrshme. E dija që pa Luftar Pajën e gjithë shfaqja do ishte si një hotel me yje të rremë. Me Luftarin ndriçojnë dhe yjet e tjerë. Padyshim kemi pasur mbështetje dhe nga teatri dhe gjej mundësinë t’I falenderoj për mundësinë që na kanë dhënë. Është e vështirë për një regjisor të ri për të vënë një pjesë në skenë. Ndryshe nga aktorët që u vjen radha shpesh të luajnë, për regjisorët është më e veshtirë.

Është nga ato vepra që me satirën e saj fshikullojnë pushtetin e në kohët tona mund të jetë kosto për një regjisor apo aktor që bëhet pjesë për shkak të mesazhit që përcjell apo personazheve që portretizon. Pse pikërisht “Mbesa e Krahinarit”?

Është një risk që e kam marrë përsipër pa rezerva. Jam përpjekur të vë paralele me shumë politikanë të sotshëm. Një sy I mprehtë do t’I shohë, do t’I kuptojë, do qeshë, por ajo që dua t;I them çdo regjisori është që absolutisht nuk duhet ta mendojë botën jashtë skenës kur është duke ndërtuar veprën e tij. Vepra e Kristo Floqit mbaron në letër. Ajo që ne shohim është vepër e imja, e aktorëve, e skenografit, e kostumografit dhe në këtë prizëm e shoh teatrin si armën tonë shprehëse dhe “nuk dëgjoj nga ai vesh” përsa I përket gjërave të tjera. Gjithashtu, jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe sociale, ne jemi munduar të trajtojmë fenomenin se si shoqëria jonë trajton femrën. Bie në paralel dhe me ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit. Është një shfaqje që I përfshin të gjithë dhe çdokush mund të vijë ta shohë dhe ta gjejë veten aty. Krahinari (Luftar Paja) jep mesazhin e fortë sesi një I dobët mund të bëhet shumë I fortë. Kjo është ajo shtysa e gjithë “krahinarëve” të sotshëm.

Si është të përpiqesh të sjellësh aktuale një vepër që flet për një kohë shumë të largët, përmes zgjidhjeve regjisoriale, skenografike e për ta bërë atë të vijë natyrshëm për publikun edhe në ditët tona?

Gjej rastin të falenderoj Xhinon dhe Albën, sepse I kam lodhur aq shumë sa mund të them se me punën që kanë bërë, mund të sillnin dy vepra bashkë në skenë. Janë karakteret më të vështirë për mënyrën sesi ne e kemi trajtuar veprën. Janë jashtë pritshmërive të Kristo Floqit dhe asaj që ka shkruar, por janë të nevojshëm që këtë vepër të viteve ’30 ta sjellim në 2018. Ky është çelësi magjik. Një ndarje përgjysmë e shfaqjes për të treguar sesa bukur një gjë e vjetër është dhe sot; dhe sa bukur e reja i korrespondon si puzzle të vjetrës.

Për të dalë nga hullia artistike dhe nga vepra. Sa e vështirë është për një regjisor të ri të krijojë eksperiencën në një habitat të lënë në harresë, siç është arti?

Jam me fat. Kam patur një professor që më ka dhënë mundësi të punoj gjithmonë me të. Jam me fat, se im atë më ka shtyrë gjithmonë të punoj. Jam me fat që Teatri Metropol më ka besuar. Mendoj që kush punon fort e takon fatin. Kush nuk e takon fatin duhet të vijojë të punojë më fort. Projektet artistike për mendimin tim duhet të bazohen më tepër tek regjisorët e rinj. Mund të mos jemi më të mirët, por mund të bëhemi më të mirën me mundësitë që na jepen.