Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës së bashku me ministrinë e Financave do të hartojnë një projektligj të plotë për statusin e minatorëve.
Këtë e ka njoftuar vetë ministri i Energjisë dhe infratrukturës, Damian Gjiknuri.
Në interpelancën që pati me një përfaqësi banorësh dhe minatorësh në zonën e Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit mbi politikat e qeverisë mbi nxitjen e industrisë përpunuese, Gjiknuri tha se aktualisht ka një draft në Ministrinë e Financave për çështjen e statusit.
Ai deklaroi se në përfundim statusi do të jetë për të gjitha kategoritë dhe jo i ndarë në grupe.
“Sot që flasim ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave dhe së fundmi së bashku me këtë ministri duam të bëjmë një draft me një projektligj të konsoliduar në mënyrë që të kemi një zgjidhje të përgjithshme dhe një zgjidhje të pjesshme, ku ngrihet një grup dhe kërkon një privilegj, një trajtim të posaçëm për shkak të profesionit që ka.”
Duke iu përgjigjur interesit të minatorëve për investimet në nxjerrjen e ferro-nikelit Gjiknuri foli për projekte konkrete.
“Ne jemi duke parë edhe disa propozime të fundit në lidhje me ringjalljen e industrisë së ferro-nikelit në të gjithë zonën.”
Ministri tha se në të ardhmen një vëmendje e veçantë do ti kushtohet nxjerrjes së nikelit dhe bakrit, si dy minerale që po kërkohen në treg.