MENU
klinika

Nga Alban Daci

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor për një pluralizëm të vërtetë politik

14.10.2018 - 15:56

Nuk njoh ndonjë popull që të jetë mposhtur nga ligjet apo nga ushtrimi i Pushtetit. Përkundrazi sa më i egër bëhet një pushtet aq më shpejt dhe më i keq bëhet fundi i tij.

Ka një histori të jashtëzakonshme me një Kardinal, Romeon, i cili me fjalët e tij të paqes dhe me mesazhin e Zotit mundi një oligarki ushatarake.

Oligarkia përdori çdo gjë për ta nënshtruar shoqërinë duke përdorur edhe ushtrinë, por në fund humbi. Është e vërtetë se kardinal Romeon e vranë dhe ai ishte i gatshëm të flijohej, por zërin e tij nuk e ndalën.

Po shoh betejën aktuale në Shqipëri për të përzier të vërtetën me shpifjen, ngjarjet me trillimet. Madje, po përdoret forca e shumicës për të bëre ligje ad hoc për të mbyllur të vërtetën. Çdo gjë mund të bëhet e mundur, por një popull nuk nënshtrohet me ligje apo me forcë. Madje, aq më shumë nxitet që ai të reagojë për të mbrojtur veten.

Në politikë nuk ka rëndësi e vërteta apo gënjeshtra, por kush bind qytetarët. Qytetarët binden vetëm me faktet që ata i shikojnë çdo ditë, i prekin po çdo ditë e po ashtu edhe janë viktima të tyre. Një situatë e rëndë po bëhet në Shqipëri, shpërthimi i qytetarëve në mënyrë spontane pa ndikim politik do të jetë agresive dhe me pasoja. Nuk e shikoj të largët këtë ditë!

Situata aktuale dëshmon qartë krizën e thellë në të cilën ndodhet politika shqiptare, e cila tashmë e konsumuar nga personazhet e stërpërdorur është drejt një fund ciklik dhe në grahmat e fundit përpiqet të ngre kauza për të dhënë jetëgjatësi edhe për pak kohë.

Hapi i parë për të ndryshuar Shqipëria është ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe hapja e mundësive për alternativa të reja që kanë pasionin, energjitë dhe përkushtimin për t’i afruar vendit standardet e merituara!

Beteja aktuale për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është me të njëjtën rëndësi siç kishte në vitin 92’ beteja për ligjin e pluralizmit politik. Sot, Shqipëria ka nevojë reale për pluralizëm politik dhe këtë nuk e ka. Intelektualët, qytetarët dhe të rinjtë duhet të luftojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, sepse vetëm kështu luftojnë për një pluralizëm të vërtetë politik që i mungon Shqipërisë.

Nuk mund të ketë dhe nuk mund të pretendohet për Demokraci në rrethanat aktuale kur kemi mungesën reale të një pluralizmi politik. Sot, kemi një sistem politike në krizë të thellë si në ide dhe në personazhe, por edhe forcën e tij që ka monopolizuar politikën dhe gjithçka që prodhon ai apo prodhohet prej tij.

Nuk bëhet fjalë vetëm për oligarki pushteti, por bëhet fjalë për një sistem të tërë oligarkik politik. Për të hyrë, për tu afirmuar apo edhe për të bërë karrierë, duhet t’i marrësh leje oligarkisë politike dhe jo preferencës së qytetarëve.