MENU
klinika

Segmenti i kromit

Nis rindërtimi i rrugës Burrel-Klos

13.10.2018 - 14:54

Segmenti rrugor Burrel-Klos do të rehabilitohet plotësisht. Investimi në segmentin me gjatësi 18.6 km do të ketë vlerën 3.7 milionë eurove, në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen e rrugëve. Është parashikuar të kryhet një rehabilitim i plotë dhe i thellë i segmentit, ku përfshihet realizimi i të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjitha gjatësinë e rrugës, vendosja e sinjalistikës rrugore, masave të sigurisë rrugore.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, bashkë me Ministren e Mbrojtes Olta Xhaçka dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qëndro ndoqën nga afër fillimin e punimeve.

Ministri Gjiknuri theksoi se ka gati mbi 20 vjet që në këtë segment nuk është bërë asnjë investim serioz dhe për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i plotë i gjithë kësaj rruge.

“Për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i thellë i gjithë kësaj rruge dhe realisht kjo ka qenë nga nyjet shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sepse ka edhe transportin e mallrave sidomos nga pjesa e Bulqizës drejt uzinës së Burrelit apo drejt portit të Durrësit. Nga pikëpamja strategjike kjo është një nga rrugët e rëndësishme që meritonte ndërhyrje me kohë. Bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjej përfitimet ekonomike,” nënvizoi Gjiknuri.

Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro, tha se në rrugë do të kryhet një rehabilitim i plotë me të gjithë nënshtresat, me të gjithë veprat e artit, duke e kthyer edhe në këtë ask në parametra pas një kohe shumë të gjatë.

“Dihet që ky është një aks shumë probematik për shkak të trafikut të rëndë që vjen nga minierat, me një fond prej gati 3.7 milionë euro, në një kohë 6 deri në 8 muaj, kjo varet sigurisht edhe në varësi të motit që do të kemi gjatë këtij dimri. Unë jam besimplotë që projekti do të mbarojë në afat dhe rrugën do ta kemi me një cilësi shumë të mirë”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!