MENU
klinika

Opinion nga Shpëtim Nazarko

“Oligarkët” e Bashës apo “hallexhinjtë” e Ramës…

01.10.2018 - 16:20

Sikur Merkelit t’i tekej një ditë të bukur dhe të sulmonte hapur në Parlamentin gjerman apo në shtyp oligarkët e vendit, është shumë i thjeshtë për t’u parashikuar fati i saj. Brenda një jave do të humbte me siguri ndoshta edhe postin.

Në kapitalizëm në përgjithësi, nuk mund të ndodhin gjëra të tilla, pra të sulmosh në mënyrë të drejpërdrejtë ata që në momentin ku jemi, kanë në dorë 27 përqind të gjithë të fushave ku zhvillohet aktiviteti ekonomik i vendit. Mban veç të tjerash një farë ere, si ajo e luftës së klasave që zhvilloi Enveri dikur dhe na shpuri atje ku jemi sot…

Në histori megjithatë ka një veprim që në pamjen e parë duket i ngjashëm me të Bashës dhe i jep të drejtë atij. Në krizën e madhe të 1929-1933, Rusvelti gjenial i shkatërroi oligarkët e vendit të tij në pjesën dërrmuese. Kjo duke u hequr monopolet në politikë, ku ishin bërë nëpërmjet parasë së hedhur edhe ligjvënës, në shtyp po ashtu dhe duke mbyllur pas një revizioni të hekurt rreth 4000 banka njëherë e përgjithnjë.

Po përkundrejt këtyre veprimeve radikale për të cilën e akuzuan si komunist të lig, Rusvelti thirri në ndihmë Kejnsin dhe politikat e tij ekonomike. Rusvelti hapi punë të pafund publike duke rindërtuar vendin. Ai i rifitoi zgjedhjet që vijuan në mënyrë të papërsëritshme deri  sot duke patur kundër thuajse të gjithë shtypin e Amerikës. Oligarkët nuk ia falën humbjen e monopolit të tyre në politikë, megjithëse edhe në kohën e tij pasuria e tyre u shumëfishua…

 

Franklin Ruzvelt

Nuk e di nëse Basha pasur ndërmend  këtë histori kur bëri sulmin e tij para disa ditësh.

Po në politikë, nuk luhet me lëvizje çasti por me plane që marrin parasysh së pari tezën e thjeshtë, që çdo situatë aktuale është produkt i asaj paraardhëse, pra që të imponon radhë të detyruar lëvizjeje, ndonjëherë bile dhe shpesh kundër dëshirës tënde.

Për të kuptuar gabimin dhe mungesën e planit të Bashës, do parë qoftë dhe përciptaz historia e oligarkëve tanë që u krijuan pas periudhës së thyerjes së sistemit.

Oligarkët tanë nuk kanë asnjë lloj ngjashmërie me ata të paraluftës së dytë, apo ata që ishin pjellë e krijuar nga sundimi i Perandorisë otomane. Në rastin më ideal ata i ngjanin Plakut Gorio të Balzakut, i cili duke analizuar Revolucionin e vitit 1793, thotë:

Xha Gorioi në kohën e këtij revolucioni shkonte të blinte miell me të lirë në Odesë, për ta shitur në trajtën e makaronave në Paris…

Por me gjithë dramën që e shoqëroi jetën e tij, ashtu si dhe gjeneralët e famshëm të Napoleonit që fituan para të madhe në luftë, ai u kujdes ta përziente racën e tij prej oligarku të ri me feudalizmin e vjetër francez. Pra bashkë me ta hodhën paratë për të krijuar borgjezinë e re apo Francën që shohim sot.

“Oligarku” ynë i krijuar pas 90-ës, ndihmuar dhe lejuar nga propaganda torollake Nano-Pashko me doktrinat e liberalizmit ekonomik, i bëri tym paratë e tij në fillim me kioska të panumërta, pastaj me pika karburanti, kafene e broçkulla të pafundme të këtij lloji.

Depresioni i Madh në Amerikë 1929-1933
Depresioni i Madh 1929-1933

Kjo ishte situata e vitit 2005, kur Partia e Bashës u rikthye në pushtet. Po çfarë bëri ajo për të korrigjuar gabimin e viteve të para?

Kam shkruar shumë herë dramën që shoqëroi periudhën më pas dhe e cila të çon tek titulli i këtij shkrimi.

Deri në vitin 2005, shqiptarët kishin marrë kredi që shkonin deri në 500 milionë euro në bankat e nivelit të dytë. Privatizimi i dy bankave të mëdha që shpuri në krjimin e Raiffeisen dhe BKT, gati e dhjetëfishoi këtë shumë kredie. Në vitet 2006 -2008 Shqipëria pati një periudhë lulëzimi relativ. Në të vërtetë këtë periudhë e shfrytëzoi me efektivitet vetëm Rama që filloi të ndërtonte me standard dhe të pajiste ndërtimet e reja me rrugica e pemë. Kohë që përforcoi idenë e një njeriu të aftë edhe për pushtetin qendror.

Periudha e lulëzimit mbaroi shpejt dhe bankat filluan të mos i jepnin kredi individit që vazhdoi traditën e investimeve pa vlerë, po kësaj radhe në përmasa më të mëdha. Kioskat, pikat e karburantit, farmacitë, e kafenetë e pafund të cilat do t’i kishte zili dhe Parisi apo Viena, janë preludi i këtij maskarallëku gjigand.

Bankat filluan pas 2008-ës t’i jepnin kredi vetëm shtetit dhe Berisha i shfrytëzoi këto para në shumicën e rasteve për rrugë. Po jo në mënyrën që zgjodhi Rusvelti për punë publike. E ca më keq se Zogu, i cili pas borxhit që i mori Duçes për rrugët e Shqipërisë, përdori vetëm inxhinierët prej Italisë, por jo puntorinë, duke krijuar kështu kompani vendase, pra me këtë  krijoi apo forcoi edhe oligarkët e rinj të vendit.

Këtë politikë të keqe të Berishës e pagoi i pari vetë Basha kur mori Bashkinë e Tiranës në 2011. Në fakt, të gjithë po prisnin që ai me ndihmën e Berishës të ndërtonte në Tiranë si në periudhën e Ramës. Por nuk ndodhi asgjë. Nuk kishte leje ndërtimi thonë disa, sepse korrupsioni për t’i marrë ato ishte shumë i madh, njëlloj ashtu si mendonin të tjerë edhe për kohën kur ndërtoi Rama.

Vetë mendoj të kundërtën.

Lulzim Basha

Korrupsioni ishte akoma më i madh, po para nuk kishte. Për mEndjen time Shqipëria po i ngjante siç i ngjan akoma, një kumarhane të madhe ku luajnë “5 katëshin”. E ku të varfrit janë në “nivelin zero apo minus një” dhe të pasurit apo oligarkët në nivelin “minus 5000”.

Kjo ishte situata reale në vitin 2013, kur Rama mori pushtetin. Ai vetë foli për borxhet që i la Berisha si dhe punët e tij të papaguara, por nuk foli për oligarkët dhe gjendjen reale të tyre.  A mund ta bënte realisht një gjë të tillë?…

Vetë isha i mendjes që duhet ta bënte. Shumicës së oligarkëve që i kishin hedhur paratë andej-këndej, u duheshin para të reja vetëm për “morfinë” për të lehtësuar vdekjen dhe jo për tu zhvilluar… Këtë proces të fundit nuk e bënin dot sepse e kishin provuar mëse njëherë.

Rama nuk bëri asgjë nga kjo. Sa kishte të drejtë?

A duhet të ndiqte Rrugën e Rusveltit?  Nga pikëpamja intelektuale, unë vetë ashtu do kisha bërë. Faktorët ndërkaq ishin kundër.

Me një borxh gati 70 përqind të GDP-së, bankat nuk do të jepnin më kredi as për shtet dhe as për individë. Çka edhe ndodhi realisht nëse sheh kreditë e dhëna prej bankave e pas vitit 2013.

Rama e shtyu mandatin e parë me kujdes dhe në mandatin e dytë, papritur rifuti në lojë ata që Basha i quan oligarkë. Shumica habiten se ishin oligarkë dhe në kohën e tij… Po kjo nuk ka asnjë rëndësi për temën .

Në një pikëpamje praktike vetëm këta oligarkë mund të rimerrnin para nëpër banka qoftë si e vetmja mënyrë për të shlyer borxhet e vjetra dhe të mëdha. Dhe Rama po të besoj Bashën, i pajisi ata me mundësi kreditimi. I shpëtoi thua?

Nuk e di, sepse siç thashë më sipër unë jam me politikën e Rusveltit. Profesor Hausmani që fliste sot për mrekullitë e Shqipërisë, besoj që e ka parë jo me shumë vëmëndje historinë tonë 25-vjeçare dhe është normale për një ekonomist. Nisur nga kjo, analiza e tij mund të jetë e saktë në pikëpamjen sasiore, po jo në atë që ka lidhje e detajet specifike të problemit, që për mua është shumë më i rëndë.

Nëse do ta përmblidhnim thjesht veprimin e Ramës me oligarkët që tregon me gisht Basha,  mund të themi se shumica e tyre, janë po ata me të njëtin mentalitet të dikurshëm. Pra nuk vlejnë për asgjë.

Në një plan si e theksova më sipër, loja e Ramës për të përkrahur oligarkët e vjetër që nuk janë as të majtë e as të djathtë, është lojë me detyrim. Ajo besoj nuk rrjedh nga ndonjë simpati personale e tij. Rama e ka provuar me kohë se nuk i merr me shumë seriozitet simpatitë personale, kur bëhet fjala për ndërtimin e një vepre. Në këtë pikë, ai i ngjan vërtet Ahmet Zogut që nuk kishte asnjë lloj emocioni pavarësisht kush i fliste, miku apo armiku.

Detyrimi i lojës së Ramës, vjen nga fakti se këta oligarkë apo borxhlinj të mëdhenj, marrin me vete edhe Shqipërinë nëse liheshin apo lihen në fatin e tyre… Bankat rrinin dhe rrinë aty në përgjim. Në 2013 ndoshta ai duhet tu kishte “hequr këmbëzën e litarit”, po nuk e bëri.

Edi Rama

Ndoqi rrugën tjetër që ndoshta Hausmmani do ta përshkruajë nesër, nëse ka vlerë reale si ndonjë studim, ose kohë më vonë historianët do ta gjykojnë më drejt si i bëhej situatës së krijuar pas vitit 2013…

Unë përsëri jam me idenë e Rusveltit, si rruga klasike për të dalë nga situata. Në kundërshtim me shkollarët që flasin për Kejns apo Hajek mendoj se ata i thërret vetë historia, kur duhet njëra apo tjetra rrugë për qeverisje.

Po në gjë jam i bindur. Përkundrejt shakasë së gabuar të Bashës që sulmon oligarkët në parlament, duke ditur edhe se veprimtaria e secilit individ privat është e lidhur me mijëra fije ku më themeloret janë marrëdhëniet me bankat të cilat dëmtojnë apo ndihmojnë pafund një individ apo shtet.

Ndërkaq nëse Ramës i duket se ka gjetur një zgjidhje origjinale për të ndërtuar një lloj kapitalizmi të orientuar pavarësisht “oligarkëve ditëzesë”që kanë provuar të jenë gjithçka, po jo realisht të tillë, i duhet të shohë me kujdes se ku hidhen këto para të reja….

Kur flas për një rrugë tjetër më kujtohet Hidrocentrali i Vithkuqit apo Kinema Majestik, e cila kishte aksionerë një shumicë njerëzish. Ndoshta dhe tani ka vlerë kjo teknikë…..

Nëse për të ndërtuar për shembull Skavicën, duhen një miliardë dollarë, këto para mund të sigurohen nga një shumicë kolosale aksionerësh, që mund të mos jenë oligarkë të rinj a të vjetër.

Një skeptik apo militant, do të theksonte këtu historinë e korrupsionit, duke theksuar se të gjithë janë maskarenj dhe hajdutë. Nuk kam ndërmend t’i kundërshtoj, por si gjithnjë kam në gjuhë shprehjen gjeniale të Kapablankës. Kur ai po dëgjonte kritika të pafundme ndaj lojës së kundërshtarit që mundi, ngriti kokën dhe tha:

Në lojërat e mjeshtërave të mëdhenj flitet me plane dhe jo me lëvizje të veçanta..:

Thelbi është i thjeshtë. Nuk e mund dot Ramën apo Bashën duke thënë gjithnjë vetëm: Këta janë maskarenj të korruptuar. Provoni ca më ndryshe dhe shkoni te fjalët e “Njeriut që qesh” të Viktor Hygoit që thotë:

Unë flas shumë. Kush i ka veshët të mëdhenj do të dëgjojë marrëzira, kush i ka të vegjël do t’i dhembin…

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!