Për largimin nga postimi i ministrit të Brendshëm të Fatmir Xhafës ka reaguar sot edhe PDIU. “Edi Ramën se shpeton dot më asgjë sepse tani përfundimisht PS është në Opozitë bashkë me ne, dhe në pushtet është vetëm Rilindja dhe Kryerilindasi Edi Rama”- u shpreh Mesila Doda në një dalje për mediat.
“Personi përgjegjës që kanabizoi vendin dhe është strateg i krimit elektoral, është vetë kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa Ministrat e tij të brendshëm Xhafaj dhe Tahiri, kanë qenë vetëm vegla në arritjen e objektivave të tij me pasoja të rënda për vendin.” theksoi Doda, ndërsa shtoi se dhjetëra banda elektorale në të gjithë vendin, kanë vepruar me urdhër politik duke u sjellë si një rrjet i vetëm kriminal me qëllim dhënien e pushtetit politik Edi Ramës.
Doda u shpreh se përballë këtij skandali, PDIU mbështet çdo veprim të opozitës së bashkuar për të krijuar klimën e favorshme dhe siguritë e domosdoshme për ndryshimin e pushtetit politik të sotëm që është bazuar dhe ka perfeksionuar blerjen dhe manipulimin e votës, një sistem që ka ngritur Rilindja e Edi Ramës në bashkpunim me bandat elektorale të vendit.
“Sot çdo pikë legjitimiteti i Edi Ramës kryeministër ka rënë, por sistemi që ai ka ngritur nuk do lejojë kurrë zgjedhje normale në vend. Ndaj është urgjente që të çmontojmë një sistem kriminal që ka shkatërruar çdo besim tek vota e lirë dhe që ka uzurpuar sot çdo segment të institucioneve shqiptare me partine-shtet.”-përfundoi Doda.