Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për akuzat ndaj Vangjush Dakos por edhe personave të tjerë, ministra apo deputetë të përfshirë sipas tij në blerjen e votës, duke përmendur Dibrën.
Ndaj Basha e quajti parlamentin dhe qeverinë ilegjitime sepse sipas tij nuk kanë ardhur nga vullneti i popullit por nga blerja e votës.
“Çështja që shtrohet sot në debat është shumë më e madhe se e Dakos apo e kryebashkikëve apo deputetëve të tjerë të Ramës që siç i kemi denoncuar dhe ne, si në zgjedhjet e Dibrës ku figurojnë dy ministra e deputetë në blerjen e votave, Gjiknuri apo Ulsi Manja të gjitha këto nuk janë simptoma të një problemi që në Shqipëri ka ardhur duke u rënduar.
Të një krimi siç është krimi elektoral. Të gjitha provat ligjore të mbledhura në procesin hetimor të nisur nga prokuroria ku gjatë përgjimit të bandave kriminale siç është banda e Avdyljave apo Ndoka kanë rezultuar dhjetëra orë bisedime telefonike dhe mijëra sms të shkëmbyera mes trafikantëve, banditëve me politikanë përfshirë Edi Ramën.
Duke nisur nga Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri tek Vangjush Dako një politikan bandit që e ka kthyer Durrësin në një zonë të lirë për krimin e deri tek shtrirja kapilare e këtij problemi nga Tropoja në Sarandë.
Sot kemi një pushtet ilegjitim, një parlament ilegjitim që ndodhen aty jo për shkak të votës së qytetarëve”, deklaroi Basha.
Nga ana tjetër ka reaguar edhe kryetarja e LSI, Monika Krymadhi duke folur lidhur me atë çfarë thuhet se në dosjen e Prokurorisë për dosjen e ‘Avdylajve’ të arrestuar për trafik droge është i përfshirë në përgjime edhe një deputet i LSI.
Kryemadhi tha se nuk ka dijeni të ketë deputet të LSI të përfshirë në këtë çështje, por sipas saj duhet të hetohen të gjithë.
“Kushdo deputet i përfshirë duhet të hetohet. Duhet të pastrohet politika. Ne duhet të arrijmë në atë stad që të mos jenë kriminelët ata që diktojnë politikanët.
Unë nuk e kam këtë informacion se gjendet një deputet i LSI në dosjen e përgjimeve, por do pyes deputetët sot. Di që ka deputetë të PS të përfshirë”- tha Kryemadhi.