Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka siguruar fondet e nevojshme për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për të 16 bashkitë e mbetura, duke plotësuar kështu paketën e 61 bashkive brenda mandatit të parë pas reformës territoriale.
Në muajin tetor, janë nënshkruar kontratat me operatorët ekonomikë, pë rnjë vlerë totale prej 195 milionë lekësh. Kontratat janë të ndara në pesë lote, më konkretisht: “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Fushë Arrëz-Has-Bulqizë”; Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Peqin-Roskovec-Patos-Mallakastër”; “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Pustec-Maliq-Devoll”; “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Selenicë-Memaliaj-Tepelenë”; “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Libohovë-Delvinë-Finiq”.
Aktualisht, ka nisur edhe hartimi i nismave për të 16 bashkitë përfituese, duke iniciuar punën për të përmbushur brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm 2019, plotësimin e territorit me PPV, që do të jenë platforma zhvillimi për 15 vitet e ardhshme për mënyrën sesi do të zhvillohen Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zonat rurale dhe urbane. Sipas MIE, investitorët shqiptarë dhe të huaj do të kenë një garanci më shumë për zhvillimin.