MENU
klinika

Rritja e çmimeve

Propozimi, ent rregullator për karburantet

14.10.2018 - 11:35

Konfindustria kërkon ndërhyrje ligjore për uljen e çmimit të karburanteve.

Propozimi i parë është krijimi i Entit Rregullator të Karburanteve. Sipas Konfindustrisë, tregu i karburanteve duhet të jetë treg i rregulluar dhe vëzhguar, në modelin e tregut të energjisë elektrike. Enti Rregullator i Karburanteve do të jetë përgjegjës për cmimin dhe cilësinë e produkteve, që qarkullojnë në treg. Praktika të ngjashme ka në Maqedoni ku cmimi i karburanteve është mbi 30% më i ulët se në Shqipëri.

Gjithashtu, një propozim tjetër është ulja me të paktën 50% taksa e qarkullimit të automjeteve, që sot kap vlerën absolute të afër 120 milionë euro në vit. Kërkesa e mësipërme arsyetohet me nivelin e lartë të taksës si dhe me hyrjen në fuqi të tarifës së pagesës në Rrugën e Kombit, që në thelb ka natyrën e një takse të mirëfilltë kombëtare shtesë.

Cmimi i karburanteve në Shqipëri është më i larti në rajon dhe në 25 vendet me cmimin më të lartë në botë, duke u afruar me shpejtësi në kufijtë e nivelit historik më të lartë prej 200 lekë për litër. Njëkohësisht, për Konfindustrinë, cilësia e karburanteve në qarkullim në treg është në shumicë jashtë standardeve të lejuara, duke e përkeqësuar edhe më tej gjëndjen e vështirë të sotme.

Kërkesat për përmirësimin e gjendjes në tregun e karburanteve do të paraqiten si pjesë përbërëse e kërkesave të Konfindustrisë për Paketën fiskale 2019.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN