Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka inspektuar fillimin e punimeve në kantierin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Ai theksoi se të gjithë pronarët, të cilët janë me dokumentet para vitit 1990 do të shpronësohen pavarësisht problemeve të mbartura në letrat e tyre.
Sipas Ramës, me qytetarët e tjerë do të procedohet ndryshe dhe si zgjidhje do të aplikohen strehimet sociale.
Shefi i qeverisë nuk ka kursyer shakatë me drejtuesit e kompanisë, ndërsa i bëri thirrje PD-së të marrë shembull se si qeveria e tij bashkëpunon me një kompani, e cila ka lindur në prehrin e saj.
“Po jemi larg, nuk për përqafoj dot. Një vit, por me standardet socialiste dhe jo me ato të PD-së. Me standardet e reja dhe jo me ato të PD-së. Se dole edhe ti oligark i madh. Po mirë mo burrë sa bëre për ta dhe të shkatërruan fare, çështje kjo histori. Ti rri mos fol se të shofin në televizor pastaj, e të thonë ja ky tradhtari. Shpronësimet do ti bëjmë me të gjitha rregullat. Ata që janë para 90-ës, atyre iu takon 100% , pavarësisht se tek letrat kanë problematikat e tyre, se ka pas problematika gjithmonë kjo zonë. Ata do të trajtohen me maksimumin e vëmendjen dhe në respekt të ligjit pa diskutim”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit nuk la pa përmendur edhe çështjen Babale, ndërsa në bisedën e tij kishte edhe krahasime me nuanca humori.
“Ata që janë në hava, do t’ju jepet një zgjidhje sociale, edhe kaq si kudo dhe si gjithmonë. Ajo vrima aty dhe tubat qenkan si partia jote me “Babalen” aty. Ne vazhdojmë rregullojmë dhe fillojmë nga e para dhe transformojmë të gjithë ato që na latë ju. Ju na turpëruat dje edhe në Bruksel. Po ne s’kemi rrugë tjetër, ne do ta shembja atë dhe do të vijojmë drejt. Të marrin shembull nga bashkëpunimin jonë si shtet me sipërmarrjen e lindur në prehrin e Partisë Demokratike”, shtoi Rama.