MENU

Detajet

Qeveria gati projektin për rrugët e Thethit, Tushemishtit e Semanit

26.10.2018 - 15:04

Fshati i famshëm i Teto Ollgës e Thethi i bukur i lartësive të mëdha, do të jenë së shpejti lehtësisht të arritshëm sa i takon infrastrukturës.

Bashkë me to, edhe rruga Fier-Seman mund të quhen investime që më shumë se sa vetëm rrugë rajonale apo lokale, përbëjnë një mundësi të re për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në këto zona. Të paktën ky është qëllimi i programit “Rrugët lidhëse Rajonale dhe Lokale”, që u prezantua pak ditë më parë në mjediset e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Ky projekt financohet nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet një kredie prej 50 milionë dollarësh nga Banka Botërore. Projekti është finalizimi i një pune të nisur më shumë se një vit e gjysmë më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ka qenë një nismë e Qeverisë për të financuar në rrjetin rrugor dytësor të vendit, veçanërisht në zonat me potencial më të rëndësishëm turistik e bujqësor. Për këtë arsye, vitin e kaluar FSHZH-ja u kërkoi të gjitha bashkive të dërgonin projektet e tyre më të rëndësishme rrugore në fushën e ndërlidhjes rajonale. Një bazë e plotë të dhënash është krijuar pranë FSHZH-së para disa vitesh dhe u rifreskua me fillimin e projektit. Është e rëndësishme që nga prioritetet e ardhura nga bashkitë një grup i rrugëve po financohet nga Banka Botërore, por edhe nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet financimeve në vijim me FSHZH-në si agjenci zbatuese.

Së shpejti, BERZH-i do të aprovojë një tjetër kredi po në TIRANE shumën 50 mln USD, që do të financojë rrugë në bashki të vendit si pjesë e të njëjtit program”, është shprehur Benet Beci, drejtori Ekzekutiv i FSHZH-së ditën e prezantimit të projektit.

Ndryshime në kabinet? Rama mbledh qeverinë në Vlorë
Ndryshime në kabinet? Rama mbledh qeverinë në Vlorë

Tashmë sfida e re e FSHZH-së është ndërtimi sipas parametrave i infrastrukturës që çon në destinacione me potenciale të larta të zhvillimit të turizmit, agrobiznesit dhe bujqësisë. Konkretisht, rruga Pogradec- Thushemisht, pjesë e projektit të prezantuar, kontribuon gjithashtu edhe në një lidhje më të mirë ndërkufitare me Maqedoninë, por edhe ndikon në largimin e trafikut nga Bregu i Liqenit.

Projekti është i koordinuar hap pas hapi edhe me programet e Qeverisë dhe të Fondit Shqiptaro- Amerikan për zhvillimin e zonës Drilon-Tushemisht, si një model i një zhvillimi të qëndrueshëm. Rruga Qafë Thore- Theth lidh Thethin, një ndër pikat më të rëndësishme të Alpeve Shqiptare, me një rrugë të parametrave të larta.

Vlen të thuhet se aktualisht, rruga është veç të tjerash edhe shumë e rrezikshme dhe penguese për turizmin në zonë. Ndërsa rruga Fier-Seman krijon akses me parametra optimalë në bregdetin e Bashkisë Fier, duke përshkuar në të njëjtën kohë një zonë me dendësi të lartë popullsie dhe intensitet të lartë të prodhimit bujqësor. Rruga kalon në fshatra që janë pjesë e programit të “100 Fshatrave” dhe krijon një akses më të mirë të parkut të Apolonisë nga Fieri.

Rëndësinë e këtij projekti e ka vlerësuar edhe përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Maryam Salim, e pranishme në ditën e prezantimit të projektit. Ajo theksoi rëndësinë e rindërtimit të këtyre rrugëve në nxitjen e zhvillimit të turizmit në këto zona.

Popullsia përftuese nga projekti parashikohet të jetë rreth 80,000 banorë si përdorues direktë apo indirektë të rrugës. Projektet e zbatuara nga FSHZH-ja në fushën e infrastrukturës rrugore rurale kanë rezultuar mjaft të suksesshme si në cilësi e jetëgjatësi, edhe sa i përket ndikimit të investimeve në jetën e komuniteteve vendore.