MENU
klinika

Kërkon ekstradimin e 18 të dyshuarve

Rasti Khashoggi/ Prokurori saudit mbërrin në Stamboll

29.10.2018 - 15:48

Kryeprokurori i Arabisë Saudite ka shkuar në Stamboll për të ndihmuar me hetimin e vazhdueshëm të Turqisë për vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Saud al-Mojeb zhvilloi bisedime me kryeprokurorin e Stambollit të hënën në mëngjes. Ai gjithashtu pritet të vizitojë ndërtesën e konsullatës saudite ku Khashoggi u vra nga agjentët sauditë më 2 tetor.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përshëndeti ardhjen e Mojebit, duke shtuar se Ankaraja e vlerësoi shumë rezultatin e bisedimeve midis dy prokurorëve. Nuk është e qartë se sa kohë prokurori saudit do të qëndrojë në Turqi.

Trupi i zotit Khashoggi nuk është gjetur ende megjithëse hetimet vazhdojnë.

Vdekja e Khashoggi ka shkaktuar një krizë diplomatike për Arabinë Saudite dhe ka vendosur në qendër të vëmendjes princin saudit Mohammed bin Salman, të cilin shumë besojnë se duhet të ketë qenë në dijeni të operacionit për vrasjen e gazetarit.

Prokurorët turq kanë përgatitur një kërkesë për ekstradim për 18 të dyshuar të arrestuar nga Riad, si pjesë e hetimit saudit, edhe pse ministri i jashtëm saudit këmbënguli të shtunën se ata  do të gjykoheshin në Arabinë saudite.

Edhe pse Arabia Saudite është zotuar se do të kryejë një hetim të plotë penal, hetuesit turq janë përballur me disa vonesa nga homologët e tyre sauditë në hetimet e tyre deri më tani, dhe versionet e Riadit dhe të Ankarasë për atë që ka ndodhur me shkrimtarin disident janë krejtësisht të ndryshme.

Turqia pohon se ka prova që tregojnë se Khashoggi u torturua dhe u vra gjatë një takimi në konsullatën saudite nga një ekip i goditur prej 15 njerëzish të dërguar  nga Riad.

Autoritetet saudite fillimisht mohuan se kishin të bënin me zhdukjen e Khashoggi e më pas pranuan se ai kishte vdekur në një “zënkë” me zyrtarë në konsullatë. Javën e kaluar, kryeprokurori tha për herë të parë se hetimi turk tregoi se vrasja e gazetarit ishte e paramenduar.

Hetuesit turq ende po kërkojnë leje për të kontrolluar në një pus pranë ndërtesës së konsullatës saudite, ku besohet se mund të jetë trupi i gazetarit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkon të dijë ku ndodhet trupi i gazetarit

Erdogan po shton presionin ndaj Arabisë Saudite

"Të gjitha pyetjet do të marrin përgjigje"

Erdogan: Vrasja e gazetarit saudit ishte e planifikuar