Fatmir Xhafaj, ministri i sapodorëhequr ka reaguar sërish sot në lidhje me akuzat e opozitës por edhe aludimet e dyshimet për prapaskena të artikuluara në media.
Në një postim në “Twitter” Xhafaj thekson dhe njëherë se dorëheqja është bërë me vullnetin e tij të plotë.
Komentet e opozitës i shikon si shenjë të degradimit politik. Madje Xhafaj, sfidon opozitën që të provojnë akuzat e bëra ndaj tij si ministër.
Ai thotë se përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë.
“Këto orë kam marrë me qindra mesazhe vlerësimi dhe respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por edhe miq e partnerë me të cilët punova.
Një pjesë e madhe nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.
Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.
Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër.
Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo”,