Intrigohet gara e nesërme e Formula 1 në Meksikë. Dy pilotët e Red Bull do ta nisin garën nga vija e parë e startit, pasi dhanë kohën më të mirë në përfundim të provave zyrtare.
Më i shpejti në pistë ishte australiani Daniel Ricciardo, që ndali kronometrin në 1’ 14” 759, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës, holandezin Max Verstappen. Një rezultat që pritej, pasi makina Red Bull ka qenë më e shpejta në pistë gjatë gjithë sesioneve të provave të lira.
Në vijën e dytë të nisjes do të jenë dy pilotët pretendentë për titullin kampion, ku i treti u klasifikua britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton dhe pas tij ferraristi Sebastian Vettel.
Më pas sërish çifti “Mercedes-Ferrari”, këtë herë mes dy pilotëve finlandezë, me Bottas që u rendit i pesti e pas tij Kimi Raikkonen. Në “top-10” më të mirët edhe Hulkenberg e Sainz me Renault, Leclerc e Ericsson me Sauber.