MENU

Nga Project Syndicate

Sa shumë politikanë vrasës…

25.10.2018 - 17:12

“A do të më shpëtojë njeri nga ky prift i ndyrë?” Pyeti Henri II kur urdhëroi vrasjen e Kryepieshkopit të Canterbury, Thomas Becket, në vitin 1170.

Gjatë shekujve, presidentët dhe princat në mbarë botën kanë qenë vrasës dhe nëse jo drejtpërdrejt vrasës ata kanë urdhëruar  vrasje. Gjatë viteve është vërtetuar se sjellja e grupeve qeverisëse tenton të jetë më kriminale dhe amorale sesa ajo e popullit mbi të cilin ata sundojnë.

Sundimtarët e duan  ndëshkimin. Por me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nga qeveria saudite, helmimin e ish-spiunëve rusë  që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, zhdukjen e kreut të Interpolit, Meng Hongwei, që mund të jetë ekzekutuar në Kinë, është shtuar rreziku. Në Riad, Moskë, madje edhe në Pekin, klasa politike përpiqet të mbulojë me mënyrat e saj të gjitha  vrasjet e veprat kriminale.

Edhe presidentët amerikanë kanë një listë të gjatë vrasjesh në histori, gjë që nuk e shqetëson presidentin e tanishëm, Donald Trump. Një nga paraardhësit e tij të preferuar, Andrew Jackson, ishte një vrasës i tmerrshëm.

Që nga viti 1947, vrasjet e urdhëruara nga presidentët janë bërë më të thjeshta me ndihmën e CIA-s, e cila ka shërbyer si një ushtri secrete. CIA ka qenë shpesh përgjegjëse për vrasje dhe kaos në të gjitha pjesët e botës. Është e mundur, ndonëse jo e vërtetuar përfundimisht, se CIA ka vrarë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Dag Hammarskjöld.

CIA ka “dhënë llogari” vetëm në një rast, në seancat e senatit amerikan të vitit 1975 të udhëhequr nga Frank Church. Që atëherë, CIA ka vazhduar me dhunë e vrasje, pa mbajtur përgjegjësi dhe pa treguar se kush i ka urdhëruar  vrasjet.

Lyndon Johnson ndërhyri me ushtrinë amerikane në Vietnam me pretekstin e një sulmi të nga Vietnami në Gjirin e Tonkinut, që kurrë nuk ka ndodhur. Richard Nixon shkoi edhe më tej: ai bombardoi Vietnamin, Kamboxhian dhe Laosin duke kërkuar të frikësonte Bashkimin Sovjetik. Lufta Johnson-Nixon në Indokinë kushtoi miliona jetë të pafajshme.

Vrasjet masive në Irak nën udhëheqjen e George W. Bush natyrisht janë më të njohura, sepse për luftën e udhëhequr nga SHBA u fol edhe në media. Qindra mijëra civilë irakianë vdiqën si rezultat i kësaj lufte.

Barak Obama u konsiderua “shumë i butë”, por megjithatë, administrata e tij në mënyrë të përsëritur miratoi sulme jo vetëm për terroristët, por edhe për qytetarë të pafajshëm dhe qytetarë që kundërshtonin luftërat e përgjakshme të Amerikës në vendet muslimane. Ai autorizoi CIA-n të bashkëpunonte me Arabinë Saudite për të përmbysur qeverinë siriane. Ky operacion “i fshehtë” çoi në një luftë civile të vazhdueshme që ka rezultuar me qindra mijëra vdekje civile dhe miliona njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Nën udhëheqjen e Trump, SHBA ka mbështetur vrasjet masive të Arabisë Saudite (duke përfshirë fëmijët) në Jemen, duke i shitur bombat dhe armët e avancuara.

Studiuesit politikë duhet të testojnë hipotezën e mëposhtme: në vendet që udhëhiqen nga presidentët (si në SHBA) dhe monarkët jo kushtetues (si në Arabinë Saudite), ndodhin më shumë vrasje sesa në vendet që udhëhiqen nga parlamenti dhe kryeministri. Parlamentet nuk japin garanci për kufizimin e vrasjeve, por sundimi i një njeriu të vetëm si në rastin e SHBA-së dhe Arabisë Saudite, pothuajse garanton gjakmarrje masive.

Amerikanët me të drejtë janë të tronditur nga vrasja e Khashoggi. Përhapja e vrasjeve të urdhëruara nga shteti nuk jep arsye për t’i konsideruar ato si të pranueshme. Përkundrazi, është një arsyetim se pusheteti duhet t’I nënshtrohet Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo është shpresa jonë e vetme për sigurinë në një botë dhe fundi i gjithë kësaj dhune.

Jeffrey D. Sachs

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN