Sekretari i Tregtisë Ndërkombëtare i Mbretërisë së Bashkuar Liam Fox ka hequr dorë nga pjesëmarrja në një konferencë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, ku do të diskutohet edhe rasti i vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Ministri francez dhe ai holandez për Financa, si dhe shumë biznismenë dhe politikanë tjerë kanë njoftuar po ashtu për tërheqje nga ky takim.
Khashoggi nuk është pare më që kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, ku zyrtarët turq pohojnë se ai u vra. Arabia Saudite, e cila mohon vrasjen, lejoi hetuesit të hynin në konsullatë gjatë natës.
Një zëdhënës i Fox tha “nuk është koha e duhur për të marrë pjesë” në konferencën në Riad.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet shumë e shqetësuar për zhdukjen e Jamal Khashoggi”, shtoi ai.
Çfarë ndodhi me Jamal Khashoggi?
Nuk është e qartë. Khashoggi thuhet se vizitoi për herë të fundit konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, për të marrë dokumentet që do të lejonin që ai të martohej me të fejuarën e tij Hatice Cengiz.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi u vra nga një ekip i agjentëve sauditë brenda konsullatës. Arabia Saudite ka mohuar pretendimet. Thuhet se raportet për vdekjen e z. Khashoggi janë “krejtësisht të rreme dhe të pabazuara”.
A ka ndonjë provë?
Autoritetet turke thonë se kanë prova, audio dhe video për vrasjen, edhe pse këto nuk janë bërë publike.
Ndërkohë, media turke thotë se ata kanë identifikuar një ekip prej 15 anëtarësh të agjentëve të dyshuar sauditë të cilët erdhën dhe ikën nga Stambolli në ditën e zhdukjes.
Si reaguan vendet e tjera?
Arabia Saudite është aleati kryesor në shumë vende perëndimore dhe, si një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë, ka ndikim të rëndësishëm në skenën botërore.
Megjithatë, disa politikanë kanë hequr dorë nga konferenca në Riad në javën e ardhshme , përfshirë shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, tha se po tërhiqej sepse “zhdukja e Khashoggi është një çështje shumë serioze. Arabia Saudite nuk ka qenë ende në gjendje të japë sqarime.
Presidenti Donald Trump është zotuar se do të shkaktojë “dënim të ashpër” në Arabinë Saudite nëse do të ishte fajtore për vrasjen e zotit Khashoggi, por gjithashtu tha se ai është kundër anulimit të kontratave ushtarake me Rijadin.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se është për keqardhje që Z. Khashoggi është zhdukur, por Rusia nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet me Arabinë Saudite pa fakte të forta.
Kush është Jamal Khashoggi?
Khashoggi është një gazetar I njohur që ka shërbyer si këshilltar i zyrtarëve të lartë sauditë. Ai ishte zhvendosur në SHBA vitin e kaluar dhe shkruante artikuj e opinione në Uashington Post.
Të enjten, Washington Post botoi shkrimin e fundit të Khashoggi , një thirrje për lirinë e shtypit në të gjithë botën arabe, i cili sic duket nuk I ka pëlqyer aspak pricit të Arabisë Saudite.