Nga Andreas Dushi
Arti i letërsisë ka qenë gjithnjë objekt studimi nga mendjet më të shquara që bota ka pasur. Si “arti i arteve”, mendimi mbi letërsinë ka qenë dhe mbetet shtyllë e mendimeve kritike mbi pasqyrimin e botës.
I pari që seriozisht merret me artin e të shkruarit është Aristoteli. Vepra e tij “Poetika” na jep një sërë shpjegimesh dhe mënyrash se si ajo çfarë ne duam të shkruajmë të jetë poezi, si dhe lexuesit i tregon se si të dallojë poezinë nga gjinitë e tjera letrare të kohës. Ai ndan qartësisht epikën nga lirika, dy llojet e poezisë të ngritura mbi imitimin i cili, duke ndjekur tre rregulla, krijon art.
Imitimi si objekt ka “të imituarin”, ndërsa si rezultat poezinë. Varet çfarë imituesi (në këtë rast poeti) imiton për të caktuar karakterin e poezisë.
Pas Aristotelit, i dyti kritik i vërtetë është Horaci. Me veprën e tij “Ars Poetica”, nëpërmjet një poeme didaktike, autori shpjegon artin e poezisë dhe jep disa teknika se si poezia mund të shkruhet. Sipas studiuesve dhe poetëve modernë dhe post – modernë, vepra e tij ka karakter të fortë tradicional, pasi ai vendos konvencione mbi mënyrën e të shkruarit.
Poezia, sipas poetëve të kohës sonë dhe pak më të hershëm, duhet të shkruhet vetëm për hir të vetevetes dhe duhet të jetë manifestim i ndijimeve që poeti ka personalisht brenda vetes së tij. I pari që e kundërshton me dy vargje “Artin Poetik” të Horacit është Archibald MacLeish i cili në veprën e tij më të njëjtin titull shkruan:
Poezia nuk duhet të thotë,
Por të jetë!
Pas tij ka edhe të tjerë kundërshtarë si Aleksandër Pope me veprën “Një ese mbi kritikën” apo William Wordsworth me “Preludin”.
Kulmi i fundit i trekëndëshit të kritikës letrare është Nikola Bualo, ardhur në shqip pak kohë më parë. Njëlloj si Aristoteli, tregon çfarë vërtetë është poezi duke përdorur mënyrën e Horacit, të shkruarit në trajtën e një poeme.
Bualo u flet autorëve, duke u dhënë këshilla direkte. U flet në vetën e parë dhe u thotë:
Të nxitoni ngadalë, me guxim të pandërprerë,
Kthejuni veprës suaj të paktën njëzet herë:
Pastrojeni pa pushim si dhe rishtas ta krihni;
Ndonjëherë të shtoni, por edhe shpesh të fshini.
(“Arti Poetik”, Kënga I, përktheu: Vinçens Marku)
Duke bashkuar këshillat e Horacit, si përshembull vepra të lexohet 10 vjet pasi të jetë shkruar e pastaj, nëse kënaq autorin, të botohet, bashkë me ato të Bualos dhe duke ndjekur rregullat e Aristotelit, për shekuj me radhë e akoma dhe sot, poetë të ndryshëm gdhendin në letër poezitë e tyre.