MENU
klinika

Çfarë është poezia?

Shtegtimi i artit poetik nga Aristoteli te Bualo

29.10.2018 - 19:24

Nga Andreas Dushi

Arti i letërsisë ka qenë gjithnjë objekt studimi nga mendjet më të shquara që bota ka pasur. Si “arti i arteve”, mendimi mbi letërsinë ka qenë dhe mbetet shtyllë e mendimeve kritike mbi pasqyrimin e botës.

I pari që seriozisht merret me artin e të shkruarit është Aristoteli. Vepra e tij “Poetika” na jep një sërë shpjegimesh dhe mënyrash se si ajo çfarë ne duam të shkruajmë të jetë poezi, si dhe lexuesit i tregon se si të dallojë poezinë nga gjinitë e tjera letrare të kohës. Ai ndan qartësisht epikën nga lirika, dy llojet e poezisë të ngritura mbi imitimin i cili, duke ndjekur tre rregulla, krijon art.

Imitimi si objekt ka “të imituarin”, ndërsa si rezultat poezinë. Varet çfarë imituesi (në këtë rast poeti) imiton për të caktuar karakterin e poezisë.

Pas Aristotelit, i dyti kritik i vërtetë është Horaci. Me veprën e tij “Ars Poetica”, nëpërmjet një poeme didaktike, autori shpjegon artin e poezisë dhe jep disa teknika se si poezia mund të shkruhet. Sipas studiuesve dhe poetëve modernë dhe post – modernë, vepra e tij ka karakter të fortë tradicional, pasi ai vendos konvencione mbi mënyrën e të shkruarit.

Poezia, sipas poetëve të kohës sonë dhe pak më të hershëm, duhet të shkruhet vetëm për hir të vetevetes dhe duhet të jetë manifestim i ndijimeve që poeti ka personalisht brenda vetes së tij. I pari që e kundërshton me dy vargje “Artin Poetik” të Horacit është Archibald MacLeish i cili në veprën e tij më të njëjtin titull shkruan:

Poezia nuk duhet të thotë,

Por të jetë!

Pas tij ka edhe të tjerë kundërshtarë si Aleksandër Pope me veprën “Një ese mbi kritikën” apo William Wordsworth me “Preludin”.

Kulmi i fundit i trekëndëshit të kritikës letrare është Nikola Bualo, ardhur në shqip pak kohë më parë. Njëlloj si Aristoteli, tregon çfarë vërtetë është poezi duke përdorur mënyrën e Horacit, të shkruarit në trajtën e një poeme.

Bualo u flet autorëve, duke u dhënë këshilla direkte. U flet në vetën e parë dhe u thotë:

Të nxitoni ngadalë, me guxim të pandërprerë,

Kthejuni veprës suaj të paktën njëzet herë:

Pastrojeni pa pushim si dhe rishtas ta krihni;

Ndonjëherë të shtoni, por edhe shpesh të fshini.

(“Arti Poetik”, Kënga I, përktheu: Vinçens Marku)

Duke bashkuar këshillat e Horacit, si përshembull vepra të lexohet 10 vjet pasi të jetë shkruar e pastaj, nëse kënaq autorin, të botohet, bashkë me ato të Bualos dhe duke ndjekur rregullat e Aristotelit, për shekuj me radhë e akoma dhe sot, poetë të ndryshëm gdhendin në letër poezitë e tyre.

Padashtas serbët e marrin si të tyre...

Skënderbeu, të cilin ne shqiptarët nuk po duam!

Sesioni i Kongresit që do të mbahet mend në histori

Lyndon Johnson dhe lufta e tij ndaj varfërisë

Rapsoditë tradicionale dhe serenatat e hershme

“Vjeshe Popullore”, sekretet në vargjet e këngëve arbëreshe

"Do të luftonte përhapjen e murtajës së gjuhës"

Ilaçi i këtyre ditëve – një letërsi e mirë