MENU
klinika

Nga New York Times

Si po e shfrytëzon Erdogan situatën e Arabisë Saudite?

24.10.2018 - 15:15

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e sheh rastin Jamal Khashoggi si një shans për të “lëkundur” Arabinë Saudite, një rivale rajonale dhe fetare.

Turqia ka nxitur hetimin e drejtësisë, që Arabia Saudite kërkon të shmangë për vrasjen e Jamal Khashoggi, kolumnistit të Washington Post. Ka patur zhurmë të vazhdueshme në media, lidhur me vrasjen dhe qeverinë e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan gjatë tre javëve të fundit, duke ekspozuar detaje të vrasjes.

Të martën, Erdogan përsëri tërhoqi vëmendje me këtë mizori duke e trajtuar çështjen gjerësisht për herë të parë, në një fjalim për anëtarët e partisë së tij. Ai e përshkroi vrasjen si “vrasje të paramenduar” dhe paraqiti një kronologji të asaj që ndodhi. Ai gjithashtu kërkoi që sauditët të japin më shumë detaje pasi shumë pyetje mbeten pa përgjigje, dhe të ekstradojnë 18 të dyshuarit që janë ndaluar për t’u përballur me drejtësinë në Turqi. Dhe ai tha që Princi Mohammed ose dikush i afërt me të e kishte planifikuar sulmin, që ndodhi në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Një sfidë e tillë e hapur për Arabinë Saudite, një fuqi rajonale që ka patur një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin Trump dhe djalin e tij, Jared Kushner, është një lëvizje e guximshme.

Çfarë shpreson të arrijë Erdogan? Nuk ka gjasa që ai është prekur shumë nga vrasja e një gazetari, duke marrë parasysh rekordin e zotit Erdogan për abuzimin e gazetarëve dhe kufizimin e lirive të shtypit.

Nëse jo lirinë e shtypit, atëherë çfarë mbron Erdogan? Pa dyshim ai është i zemëruar se një fuqi e huaj ka kryer një vrasje të tillë brenda kufijve të Turqisë, në Stamboll, në vendlindjen e presidentit. Dhe ndoshta Erdogan e sheh këtë si një mundësi, për të përdorur vrasjen për të kërkuar para nga sauditët për të mbështetur ekonominë e dështuar të Turqisë në këmbim të ndihmës për të zhvendosur fajin nga regjimi saudit.

Megjithëse nuk është materializuar, një lloj kompromisi sauditi-turk mbetet i mundshëm.

Çështja kryesore është se Erdogan e vuri gishtin te Princi Mohammed në mënyrë indirekte, dhe ai fliste me respekt për mbretin Salman, babain e princit dhe sundimtarit të fundit të mbretërisë. Kjo mund të lërë hapësirë ​ që të iniciohet një marrëveshje.

Nëse Erdogan posedon llojin e provave që është raportuar, një audio e vrasjes, ai mund të ketë fuqinë për të shkatërruar princin Mohammed, trashëgimtarin 33-vjeçar të Arabisë Saudite.

Me siguri Erdoagn e sheh episodin Khashoggi si një shans për të “lëkundur” një rival rajonal dhe për të çuar përpara qëllimin e tij për ta bërë Turqinë fuqinë dominante muslimane. Ai ëndërron ende të kryesojë një perandori të përtërirë osmane.

Erdogan ka mbështetur grupe si Vëllazëria Myslimane, e cila përkrah një markë populiste të Islamit që mbështeste zgjedhjet në Egjipt dhe Tunizi; Sauditët e quajnë Vëllazërinë një grup terrorist dhe e konsiderojnë formën e qeverisjes si një kërcënim për ta.

Erdogan gjithashtu ka lidhje me Iranin, kundërshtarin kryesor të Arabisë Saudite dhe Katarit.

Gjatë 15 viteve në pushtet, zoti Erdogan ka konsoliduar vazhdimisht kontrollin e brendshëm, duke burgosur disidentët dhe duke shtypur mediat e pavarura. Por në Turqi pati një krizë. Turqia po  vuan nga rënia ekonomike dhe izolimi diplomatik nga keqmenaxhimi i Erdogan, nga autoriteti brutal, nga korrupsioni dhe mosrespektimi i sundimit të ligjit. Vendi kishte problem edhe me SHBA-në, e cila vendosi sanksionembi disa eksporte të Turqisë.

Erdogan po përpiqet të zgjidhë të gjitha problemet e mësipërme. Dhe duke vënë në qendër të vëmendjes Arabinë Saudite si një “vend vrasës”, Erdogan është tani në gjendje të mbledhë popullin turk rreth një armiku të përbashkët. Dhe me shumë gjasa, ai do të dale edhe më i fortë nga ky konfrontim.

Nga New York Times

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Të gjitha pyetjet do të marrin përgjigje"

Erdogan: Vrasja e gazetarit saudit ishte e planifikuar