Ambasadori i BE, Luigi Soreca gjatë një takimi që pati me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi nënvizoi se tetë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për Shqipërinë.
“Objektivi i BE-së është i qartë: Shqipëria duhet të jetë në BE dhe për këtë po punojmë të gjithë. Duhen rezultate konkrete, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi po lavdërohet për kurajon dhe përgjegjësinë që po demostrohet për zbatimin e saj. Vetting-u po funksionon, por është shumë e rëndësishme të krijohen organet e reja të sistemit dhe për këtë duhen shtuar përpjekjet. Përsa i përket reformës zgjedhore, ajo po shkon drejt përfundimit, por për këtë duhet që partitë të mbështesin më shumë Komisionin e reformës dhe të arrijnë një kompromis në të mirë të vendit“, u shpreh ambasadori.
Nga ana e tij kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi pasi e uroi ambasadorin Soreca për misionin e tij në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit informoi gjerësisht mbi veprimtarinë dhe kontributin e Kuvendit në tre aspektet kryesore: kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019; vazhdimin me vendosmëri të reformës në drejtësi dhe procesit të Vettingut; përfundimin e reformës zgjedhore.
“Kuvendi është i angazhuar për realizimin e të gjitha detyrimeve të tij për kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019.
Pas publikimit të raportit me rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, në maj 2018, Kuvendi hartoi Planin e Veprimit me 6 objektiva dhe 46 masa për realizimin e tyre. Deri më 1 tetor janë realizuar 22 nga 37 masa të parashikuara për periudhën 1 maj-31 tetor 2018, ndërsa 15 masa janë në proces. 9 masat e tjera janë programuar të realizohen gjatë periudhës 1 nëntor 2018 – prill 2019.
Kuvendi ka miratuar 7 ligjet prioritare që shoqërojnë amendimet Kushtetuese, përfshirë ligjin për vetting-un, dhe në total ka miratuar 17 nga 27 projektligjet e reformës në drejtësi. Ndërkohë, Komisioni për Çështjet Ligjore ka në proces shqyrtimi 7 projektligje të reformës.
Gjatë periudhës Mars-30 Shtator 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar procedurën e rivlerësimit për 49 gjyqtarët dhe prokurorët të listës prioritare me 57 gjyqtarë dhe prokurorë. 25 nga 49 ose 48% të shqyrtuarve janë larguar nga sistemi dhe 27 janë konfirmuar“, ka thënë Ruçi.