MENU
klinika

Financon 17 shkolla të reja

Taksa vendore për arsimin, priten 7 milionë euro për 2018

03.10.2018 - 10:18

Bashkia e Tiranës planifikon të mbledhë këtë vit 892 milionë lekë ose rreth 7 milionë euro nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Këto para të cilat do të përdoren për financimin e projektit të ndërtimit të 17 shkollave të reja në kryqytet. Vlera totale e projektit do të jetë 6.53 miliardë lekë ose rreth 52 milionë euro.

Siç është bërë e ditur, shkollat do të ndërtohen përmes partneritetit publik-privat dhe investimi fillestar do të bëhet nga kompanitë e kontraktuara. Bashkia do bëjë shlyerjen e vlerës së investuar me këste për një periudhë kohore prej 7 vitesh nga momenti  i dorëzimit të objektit.

Gjithashtu, është parashikuar rimbursim për vlerën në kohë të parasë, me një marzh fitimi maksimalisht 6,28 % në vit për vlerën e mbetur. Kjo përllogaritje është bërë mbështetur në kuponin e obligacioneve 7 vjeçare, në kohën e miratimit të projektit.

 

Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës ka 191 shkolla publike, por 61 shkolla kanë më shumë nxënës sesa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Sipas bashkisë, për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare  këtyre problemeve, duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, nga të cilat 10 shkolla të ciklit 9-vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre, si dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë.