Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë propozon vendosjen e tatim-fitimit progresiv edhe për bizneset. Një nga propozimet kryesore për paketën e ardhshme fiskale është që, për fitimin deri në 200 milionë lekë shkalla tatimore të jetë 15%; për fitimet nga 200 milion në 400 milion lekët fitim i realizuar të jetë 20% dhe për fitimet mbi 400 milion lekët tatimi të jetë 30%.
Dhoma e Tregtisë propozon edhe ndryshim të skemës për tatimin mbi pagat, me shkallë 0 për pagat deri 35.000 lekë/muaj; 10% për pagat nga 35.000 – 335,000 lekë/muaj dhe 20% për pagat mbi 335,000 lekë/muaj.
Propozim tjetër është vendosja e një taksë luksi, për të gjitha banesat mbi 200 m2 dhe në vlerë mbi 300 mijë euro në bregdetin shqiptar. Kjo taksë propozohet të jetë 500 lekë të reja për m2 në vit.
Për bizneset e ndërtimit, propozohet që taksa e infrastrukturës të ulet nga 8% në 5% e çmimit të shitjes dhe ajo të paguhet me këste: 30 % në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit, 30% në përfundimin e karabinasë dhe 40% në çastin e marrjes së lejes së shfrytëzimit.
Dhoma e Tregtisë së kryeqytetit propozon gjithastu TVSH me prag zero, çka nënkupton që të gjithë të përfshihen në skemën e TVSH-së. Por, deri në një qarkullim 10 milionë lekë të reja, aplikimi i TVSH-së të mos ketë efekte financiare, si në rimbursim ashtu dhe në pagesa. Kjo do të thotë se subjektet me xhiro deri në 10 milionë lekë përjashtohen nga pagesa e TVSH-së, por janë të detyruar që të marrin dhe dorëzojnë fatura me TVSH në shitjen e mallit të tyre. Për këtë kategori, sugjerohet të aplikohet taksa fikse që do të jetë 1% e qarkullimit tregtar.