Nga David Ricardo te Karl Marx e deri te John Maynard Keynes: ndikimi i inovacionit teknologjik te puna ka qenë shqetësim për ekonomistët e shkollave të ndryshme. Ankthi i një të ardhmeje që mund të dominohet gjithnjë e më shumë nga automatizimi i proceseve të punës është bërë shqetësim për opinionin publik, por edhe një armë politike e liderëve politikë populistë.
Por, a është inovacioni një rrezik kaq i madh për krahun e punës? Ndoshta jo, duke pasur parasysh, në radhë të parë, se pasojat e progresit teknologjik janë shumë të vështira për t’u imagjinuar. Për të hedhur dritë në këtë drejtim, McKinsey Global Institute ka kryer një studim që analizon inovacionin teknologjik në të shkuarën, për të kuptuar më mirë cilët mund të jenë skenarët e të ardhmes.
Që në fillim, duhet përgënjeshtruar bindja se automatizimi pakëson vendet e punës. Makinat iu mundësojnë punonjësve të prodhojnë më shumë, duke rritur produktivitetin, pagat dhe duke ulur kostot e produkteve dhe shërbimeve. Kjo shton kërkesën e tregut për mallra dhe shërbime, duke rritur, rrjedhimisht, edhe nevojën për forcë pune dhe rezultati është një rritje e mëtejshme e punësimit.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një skemë teorike, por të mbështetur në shifra.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i punonjësve pothuajse është trefishuar që nga viti 1960 deri në vitin 2017.Sigurisht, centralistet telefonike të vitit 1960 e kanë humbur punën për “faj” të automatizimit, por kush do ta imagjononte atëherë sesa vende pune do të hapeshin nga shpikja e telefonëve inteligjentë?
Për shembull, bankomati, i shpikur 50 vjet më parë, nuk i bëri të panevojshëm punonjësit e degëve bankare. Që nga viti 1991, deri në 2007, numri i njësive bankare dhe i bankomateve është rritur paralelisht. Pas krizës së vitit 2008 dhe zhvillimit të internet banking, gjërat po ndryshojnë; sportelet fizike të bankave po pakësohen, por kjo nuk do të thotë se ato janë të destinuar të zhduken.
Çfarë ndodhi me kompjuterët personalë? Sipas vlerësimeve të McKinsey, shpikja e kompjuterit ka krijuar që nga vitit 1980 e deri më sot 15.8 milionë vende pune në SHBA. Kjo shifër përfaqëson rreth 10% të punësimit total në ekonominë amerikane. Shifra e mësipërme përfaqëson diferencën mes 19.3 milionë vendeve të punës që u krijuan nga kompjuterët dhe 3.5 milionë vende pune që humbën për shkak të tyre.
Nga kompjuteri humbën vendet e punës daktilografistë, shtypës dhe sekretarë; por, numri i vendeve të punës që u krijuan ishte disa herë më i lartë. Kompjuteri krijoi prodhues të pajisjeve, të programeve, zhvillues aplikacionesh, operatorë të tregtisë elektronike e deri tek punët më të thjeshta, si shitës apo teknikë të pajisjeve kompjuterike. Pa shpikjen e kompjuterit nuk do të ishte krijuar një gamë kaq e gjerë profesionesh dhe një numër kaq i lartë vendesh pune, që në pjesë të mirë përfitojnë edhe pagesa mjaft të larta.