Një raport me të dhëna alarmante është bërë publik nga Europoli ku thuhet se mbi 5 mijë fëmijë shqiptarë rezultojnë të trafikuar në vendet e Bashkimit Europian.
Organizata Europiane thekson se prindërit janë në dijeni të këtyre rasteve, por gjendja e vështirë ekonomike e tyre e bën të vështirë parandalimin e këtij fenomeni.
Lidhur me këto të dhëna flet Drejtori i Qendrës për Mbrotjen e etë Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj i cili thotë:
“Fëmijët e vegjël po shfrytëzohen si për qëllime të shfrytëzimit seksual ashtu dhe për qëllime të shfrytëzimit ekonomik.”
Sipas Europol, fëmijët e trafikuar apo të kontrabanduar janë të moshës 12-15 vjeç.
Në këto kushte, Hazizaj apelon qeverinë për më shumë masa.
“Të bëjmë një shqyrtim serioz pse vazhdon Shqipëria ende të jetë vendburim trafikimi.
Policia dhe Ministria e Brendshme kanë nevojë të shikojnë trafikimin e fëmijëve si pjesë të luftës që ata janë duke zhvilluar për trafikun ndërkombëtar të drogave etj.
Qeveria ka për detyrë të caktojë burime të mjaftueshme financiare për shërbime për viktimat.”
Shqipëria nuk ka ende të dhëna të sakta lidhur me këtë fenomen shqetësues, të vetmet statistika janë ato të Qendrës Vatra në Vlorë sipas së cilës vetëm përgjatë vitit të kaluar u shënuan 45 raste të reja të trafikimit.