MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Transplanti i zemrës/ Nga kafshët te njeriu!

07.10.2018 - 15:35

Transplanti kardiak është trajtimi kirurgjikal i vetëm i insufiçiensës kardiake të avancuar.

Fatkeqësisht, ekziston sot në botë një mungesë e theksuar donacionesh në krahasim me nevojat aktuale në vendet e zhvilluara. Në dekadën e fundit numri i transplanteve kardiake ka mbetur konstant në vendet e Komunitetit Europian dhe në SHBA.

Vetëm në Amerikë kryhen 3500 transplante kardiake në vit, ndërkohë që nevojat në këtë vend janë afërsisht për 30000 transplante kardiake në vit.

Terorikisht, kësaj procedure mund t’i nënshtrohen pacientët e çdo moshe, por për shkak të mungesës së donatorëve si dhe një incidence të lartë komplikacionesh pas transplantit kardiak, pacientët me moshë mbi 65 vjeç zakonisht kundërindikohen për këtë procedurë kirurgjikale.

Historia e transplantit kardiak

Transplanti i parë kardiak te kafshët është raportuar në vitin 1905 nga Drs. Alexis Carrel dhe Charles Guthrie.

Ndërkohë në ‘Universitetin e Chicagos’ do të raportohej transplanti i zemrës së një qeni të vogël në qafën e një qeni të dimensioneve më të mëdha, duke e lidhur këtë me enët që çojnë gjakun në tru.

Gjaku i kafshës nuk ishte holluar, kështu që eksperimenti përfundoi dy orë më pas për shkak të një koaguli të madh gjaku në zemrën e transplantuar.

Në vitin 1950, Vladimir Demikhov, një studiues në Bashkimin Sovjetik, do të përshkruante më shumë se 20 teknika kirurgjikale të ndryshme për transplantimin e zemrës dhe të mushkërive.

Ai ishte i aftë të hiqte zemrën e kafshës dhe ta zëvendësonte me zemrën e një kafshe tjetër, bile kjo përpara se të zbulohej makina zemër-mushkëri. Kjo ishte e realizueshme duke e vendosur zemrën e dhuruar mbi zemrën native të kafshës.

Më pas, kur gjaku zhvendosej në drejtim të zemrës së transplantuar hiqet zemra e dëmtuar. Një nga këta qenër shkoi në Kremlin 6 ditë pas operacionit, por vdiq pak kohë më pas për shkak të fenomenit të flakjes.

Në vitin 1960, Drs. Richard Lauer dhe Dr.Norman Shumway, SHBA, kishin hedhur bazat e teknikave kirurgjikale të transplantit kardiak, sikurse kryhen edhe sot.

Metoda e tyre kirurgjikale u përshkrua nga Sir. Russell Brock në Angli dhe Dr. Demikhov në ish-Bashkimin Sovjetik. Pak kohë më vonë, Dr. James Hardy në ‘Universitetin e Misissipit’ do të tentonte transplantin e parë kardiak te njeriu.

Meqenëse nuk kishte një donator të zemrës, ai përdori zemrën e një shimpazeje të dimensioneve të mëdha, por kjo procedurë dështoi pasi zemra e shimpazesë nuk ishte e aftë që të mbante kërkesat e qarkullimit të pacientit.

Transplanti i parë kardiak njeri-njeri u realizua në 3 Dhjetor të vitit 1967 në Capetown, Afrikë e Jugut.

Një ekip kirurgjikal i kryesuar nga Dr. Christian Barnard transplantoi zemrën e një donatori human i cili ishte çertifikuar si i vdekur, pesë minuta pasi zemra e tij kishte ndaluar të rrahurat e saj në një pacient tjetër 54-vjeçar i quajtur Louis Washkansky, zemra e të cilit ishte e dëmtuar në mënyrë ireversibile nga ataket e shumta kardiake.

Transplanti i parë kardiak i kaloi imagjinatat e njerëzimit në mbarë botën në atë kohë dhe menjëherë emri i Barnardit do të bëhej emri më i njohur në mjekësi.

Është interesante, por Dr.Barnard nuk mendonte që ky intervent ishte tepër revolucionar në mjekësi, aq sa ai nuk bëri as edhe një fotografi gjatë gjithë procedurës.

Në një intervistë të kohëve të fundit, Brandardi do të tregonte për këtë ngjarje: “Transplanti kardiak ishte i suksesshëm pasi ishte virtualisht një operacion tjetër kardiak.

Ne ndërkohë kishim shumë eksperiencë me intervente madhore kardiake dhe e dinim se si duhet të përgatitet pacienti për trauma të tilla. Ne gjithashtu dinim se si të kujdeseshim për pacientin gjatë dhe pas interventit.

Gjithçka e re qëndronte në teknikën kirurgjikale dhe në monitorimin e mëtejshëm të pacientit për të trajtuar fenomenin e flakjes.”

Me të vërtetë, kardiokirurgët ishin të përgatitur teknikisht që në atë kohë për të realizuar transplantin kardiak.

Vetëm tre ditë pasi Barnard kishte bërë transplantin e parë kardiak, një transplant i dytë do të realizohej në një fëmijë nga Dr. Adrian Kantrowitz në Brooklyn, New York.

Ky pacient do të vdiste që në 24 orët e para për shkak të një hemorragjie masive. Pacienti i Dr. Barnard, Washkansky, do të vdiste ditën e 18 pas operacionit.

Në autopsi, zemra ishte mëse normale, por në mushkëri ekzistonte një pneumoni evidente, mbase për shkak të trajtimit kundër fenomenit të flakjes.

Dr. Barnard do të kryente transplantin e dytë kardiak në një pacient tjetër pikërisht në 2 Janar të vitit 1968, emri i tij ishte Philip Blaiberg.

Blaiberg doli nga spitali dhe u bë tepër i njohur në muajt që do të vinin pas interventit që kishte kryer. Këto rezultate të para treguan qartë që transplanti kardiak ishte i mundur në pacientë të cilët vuanin nga sëmundje terminale të zemrës.

Një vit më vonë pas transplantit të parë kardiak nga Barnard, do të realizoheshin mëse 100 transplante kardiake në të gjithë botën. Megjithatë nga fundi i vitit 1968, shumica e grupeve e abandonuan për shkak të vdekshmërisë së lartë nga fenomeni i flakjes.

Megjithëse interesi ndaj transplantit kardiak u ul, kardiokirurgë sikurse Shumway, Lauer, Barnard, dhe disa të tjerë vazhduan eksperimentet e tyre në laboratorë.

Pikërisht nga kjo punë eksperimentale ata zbuluan dhe aplikuan ilaçe të cilat do të mund të frenonin fenomenin e flakjes, duke bërë të mundur aplikimin e transplantit kardiak në kushte moderne sikurse është e mundur edhe sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN