MENU
klinika

Dialogu Kosovë-Serbi

Veseli: Rezoluta për dialogun përfshin të gjitha kërkesat

11.10.2018 - 15:19

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se rezoluta për dialogun përfshin gjithçka që ka kërkuar pozita dhe opozita.

Ai pas një takimi me partitë opozitare, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa, ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë fushëbetejë për pushtet.

Kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Kosova duhet të jetë me një zë dhe qëndrim rreth platformës së vet. Rezoluta e propozuar përfshin gjithçka që opozita dhe pozita kanë kërkuar. Kam një mesazh për partitë opozitare, nuk mund te jetë Kosova fushëbetejë për pushtet. Më e rëndësishme është e ardhmja se çdo kolltuk”, tha Veseli.

Ndërsa, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, pas takimit tha se procesi i dialogut me Serbinë, nuk mund të ecë përpara pa konsensus dhe as pa partitë opozitare.

Ai ka thënë se do të janë prezentë në çdo takim ku temë e diskutimit është dialogu Kosovë-Serbi.

Si Parti Socialdemokrate kërkesa jonë përveç që rezoluta e PSD-së të votohet është që ky debat të kthehet në Kuvend. Vetëm duke u ulur mund të gjejmë zgjidhje të përgjithshme. Kushdo që do të na ftojë këtë qëndrim do ta prezantojmë, Kuvendi është mënyra edhe vendi”, është shprehur Sejdiu.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është i domosdoshëm ndërtimi i konsensusit për dialogun Kosovë-Serbi.

Kusari-Lila tërheq vërerjen se nëse nuk ka konsensus për dialog, vendi të shkojë në zgjedhje.

Është i domosdoshme ndërtimi i një konsensusi politik. Procesi i dialogut ka filluar qysh në vitin 2011 dhe prej asaj kohe ne kemi tri qeveri të ndryshme. Konsiderojmë që nëse nuk arrihet një konsensus në mes partive dhe nëse nuk zgjidhet asgjë duhet të shkojmë në zgjedhje. Kosova është e bllokuar”, tha Kusari-Lila.

Në këtë takim nuk kanë marr pjesë përfaqësues të partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. /Konica.al/