Formalizimi në sektorin bujqësor është vetëm 8%. Të dhënat e kombinuara që krahasaojnë numrin e të punësuarve në sektorin bujqësor dhe numrin e fermerëve të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se niveli i informalitetit ngelet ende i lartë.
Deri në fund të vitit 2017, numri i fermerëve të regjistruar me një numër unik identifikimi të subjektit (NUIS) arriti në 36 500. Ndërkohë, Instituti i Statistikave raporton se numri i të punësuarve në fshat për të njëjtën periudhë ishte rreth 462 mijë. Sipas këtij raporti, rreth 7.9%e fermerëve kanë një aktivitet bujqësor të formalizuar.
Megjithatë, ky raport mund të ketë nevojë për një intepretim. Statistikat administrative llogarisin si të punësuar në bujqësi çdo person në moshë pune që jeton në fshat. Këtu mund të përfshihen disa persona brenda të njëjtës familje. Kuptueshëm, jo të gjithë anëtarët e familjes mund të regjistrohen si biznes bujqësor. Rrjedhimisht, shkalla e formalizimit mund të llogaritet edhe kundrejt numrit të familjeve.
Po të kemi parasysh se një familje ka mesatarisht 3.7 persona, numri i familjeve të angazhuara në bujqësi është rreth 125 mijë familje. Sipas këtij raporti, shkalla e formalizimit të familjeve që merren me bujqësi është rreth 29%.
Regjistrimi i fermerëve është një proces i nisur në vitin 2015 dhe është kusht i domosdoshëm për përfitimin nga skemat e subvencioneve, por edhe për të pasur akses në kredi nga institucionet financiare.