MENU
klinika

TV francez ARTE

‘’Via Egnatia’’ mrekullia mitike e Shqipërisë

24.10.2018 - 13:13

Rruga Egnatia, apo siç njihet në botë “Via Egnatia” ka tërhequr vëmendjen e stacionit televiziv franko-gjerman ARTE, i cili i ka kushtuar një reportazh prej më shumë se 10 minutash, realizuar nga Djafer Ait Audia.

Ndërtuar nga romakët, Via Egnatia, shtrihet përgjatë 1200 kilometrave përmes peizazheve të Shqipërisë. Nga Antikiteti tek dyndjet barbare, nga sundimi osman tek autonomia e vendit, prej dy mijë vjetësh ajo end lidhjen midis popullit dhe të kaluarës së tyre.

Via Egnatia “urë lidhëse” e Shqipërisë me Perëndimin

Është një rrugë mitike, një udhë e hapur drejt botës, një rrugë që përshkon Shqipërinë drejt Evropës, drejt Perëndimit, por njëherazi lejoi pushtuesit romakë, osmanë, sllavë, të futen në territorin e saj. Dhe ajo quhet “Via Egnatia”.

“Është një dhuratë ta kesh shtëpinë buzë rrugës, por po ashtu një dhuratë e pasigurt, sepse kjo rrugë mund të të sjellë pasuri, progres, por njëherazi mund të të sjellë edhe dhimbje. Ky është edhe rasti i “Via Egnatia”, – shprehet arkeologu Eduar Shehi.

Duke përshkuar peisazhet e mrekullueshme të Shqipërisë, Via Egnatia shtrihet përgjatë 1200 kilometrave dhe mbetet spektatore e heshtur e historisë dymijë vjeçare. Nisur nga e kaluara e lavdishme romane, fillimi i kristianizmit, invazionet osmane, deri tek krijimi i republikës shqiptare në shekullin XX, ajo formësoi fatin dhe fytyrën e Shqipërisë, duke mbetur gjithnjë atje, si gardiane e kujtimeve shqiptare.

Durrësi, shtrirë përgjatë bregdetit Adriatik shpaloset ballë për ballë me bregdetin italian, aty ku fillon edhe pikënisja e Via Egnatia.

Një nga dëshmitë e gjalla mbetet Amfiteatri i qytetit, ndërtuar në shekullin e dytë para J.K.,i cili shtrihet në qendër të qytetit dhe është mishërimi i Durrësit të periudhës kur perandoria romake filloi të zgjerohej gjithnjë e më shumë, për të mbërritur deri tek portet e Azisë. Durrazzio, emri i Durrësit në atë epokë, shndërrohet në një qytet tregtar provincial strategjik, një kryqëzim i vërtetë mes Lindjes dhe Perëndimit, që lejon kalimin e romanëve që vijnë e ikin nga Roma.

Arkeologu Eduard Shehi shprehet: “Nga studimet e romakëve amfiteatri fillon nga niveli i tokës për të vijuar me pjesën më të madhe mbështetur mbi shpinën e kodrinës.

Me një diametër arene prej 136 m gjatësi, me shkallaret që arrijnë më shumë se 18 m, ai mund të mirëpresë më shumë se 21 mijë spektatorë. Është amfiteatri më i rëndësishëm i qytetit.

Amfitatri paraqet madhështinë dhe rëndësinë e qytetit të Durrësit, madje kohët e fundit qeveria ka investuar në mirëmbajtjen e kësaj trashëgimie kulturore të këtij qyteti”.

Që prej asaj periudhe Durrësi do jetë udha me ndikimin më të madh në Ballkan.

Në shekullin IV pas Krishtit, nga Durrësi, Via Egnatia u zgjat deri në Kostandinopojë, në kryeqytetin e Orientit të asaj epoke. Përgjatë rrugës, në rajonin e Pogradecit, 130 km larg Durrësit gjejmë gjurmë të mbretërisë romane.

“Kur mbërrijmë në këtë vend, hyjmë realisht në epokën romane, domethënë këtu fare pak gjëra kanë ndryshuar. Kishte më dhjetëra stacione, pika furnizime përgjatë gjithë rrugës Via Egnatia në territorin shqiptar, mirëpo ky është nga më të mirëmbajturit. Në njërën anë, kishte banjat romane, një sallë pushimi për burrat, në anën tjetër kishte edhe një pjesë për ushqim dhe shkëmbim kuajsh. Kjo bën pjesë tek një nga momunentet më të famshme të Shqipërisë”, – shprehet arkeologu Marin Haxhimihali.

Në shek. IV perandoria romake ndahet, si rrjedhojë Kostandinopoja bëhet kryeqyteti i Perandorisë Orientale. Ishte epoka kur fillon kristalizimi i detyruar i perandorisë së Justinianit. Sërish, në “Via Egnatia” takojmë një popullsi të detyruar për t’u konvertuar në besim tjetër.

20 km prej andej, përgjatë rrugës, ngritur mbi liqenin e Ohrit, shtrihet Lini, një fshat i vogël peshkatarësh, i cili ruan ende gjurmët e kishës për një popullsi me më pak se 2000 banorë.

Në orët e para të kristianizmit, nuk gjendej asnjë kishë, mirëpo në shekullin e V evangjelistët vendosën të ndërtonin në lartësitë e fshatit një bazilik imposante.

“Në Bazilikën paleokristiane të Linit dallohen 7 mozaikë të ndryshëm, thuajse gjithë hapësira është e mbuluar me mozaikë. Motivet nuk ishin ende të krishtera, ato anonin nga motivet paleokristiane. Simbolet e para kristiane ishin zogj, motive florale dhe skena eukaristike, tipike të periudhës paleokristiane.

Është kishë tipike e periudhës paleokristina me altarin në mes dhe me anekse litugjike rreth e rrotull. Zgjodhën një vend dominues për ta ndërtuar, përzgjedhja e pozicioneve tipike të epokës paleokristiane, pozicionet strategjike, në mënyrë që kisha të mund të shihej nga një numër sa më i madh të krishterësh. Jo vetëm nga komuniteti që banon rreth e rrotull, por edhe nga karavanet, apo nga njerëzit që do kalojnë atypari”, – vijon arkeologu.

Bazilika e Linit do luaj një rol të madh në përhapjen e besimit kristian, por së fundmi përfundon e shkatërruar. Nisur nga shekulli V, dyndjet sllave, barbare, por sidomos ato otomane do ta zhveshim kryekëput vendin nga trashëgimitë e të shkuarës. Një mijë vjet pas pushtimin roman, rruga zaptohet nga pushtuesit osmanë, i cili do përforcojë rrjetin rrugor dhe popullit do t’i imponojë një besim të ri, islamin.

 

Gjithnjë në Via Egnatia shrihet edhe qyteti i bukur i Beratit, i quajtur ndryshe qyeti i njëmijë e një dritareve, i cili duket sikur valëzon mbi lumin Osum. Midis shekullit 15 dhe 19 pushtimi osman shkaktoi një terror të paparë mbi popullin, duke shkatërruar të gjitha kishat, shndërruar në xhami. Berati ishte nga qytetet e fundit që ra në duart e osmanëve. Ndërsa qytetet e tjerë e kundërshtuan këtë pushtim të ri, Berati e priti me krahë hapur.

Xhamia ngrihet në qendër të qytetit dhe është një nga monumentet më të vjetra në Shqipëri, daton në shekullin XVI.

“Kjo xhami është ndërtuar në periudhën e Sulltan Bajazitit të Dytë, elementi më specifik që karakterizon xhaminë në raport me të tjerat është pjesa e zbukurimit të brendshëm, pjesa e kupolës, tavani i xhamisë është ndërtuar me dru, zbukrimi i xhamisë otomane me lule dhe ngjyra të kuqe. Në tavan janë gdhendur në gjuhën arabe një frizë prej 14 mandala dhe 99 adithet e Zotit”, – shprehet historiani Edi Çeki.

Në gjithë vendin u imponua arabizimi, gjuha shqipe përdorej vetëm në rrethe të ngushta.

150 kilomentra në lindje të Beratit filloi të ndjehet një erë e re lirie. Vendosur disa kilometra në kufi me Greqinë, Korça është qyteti i fundit që përshkon Via Egnatia.

Në shekullin e 19-të rinia shqiptare filloi të ngrejë krye kundër sundimit otoman. Në vitin 1912, Shqipëria shpalli pavarësinë. Një vit më vonë, pushtohet nga grekët dhe mandej do të vihet nën protektoratin e francezëve, gjë e cila la gjurmët e saj të përjetshme, duke e mbrojtur deri në vitin 1920, kohë kur krijohet republika autonome e Korçës.

Pjesa më e madhe e ndërtesave të qytetit të Korçës, portat, dritaret, janë të stilit neoklasik dhe ruajnë në vetvete shpirtin e stilit francez.

Pas 50 vjetësh nën sundimin e sistemit komunist, në vitin 1990 Shqipëria hap dyert e demokracisë.

“Pazari i vjetër është pjesa më e rëndësishme e qendrës historike të Korçës, por edhe si trashëgimi kulturore e vendit. Bie në sy ngjyra e fasadave, e kuqe e zënë.

Kryesisht ngjyrat vijojnë nga më e zëna tek më të hapurat, duke dashur kësisoj të respektohet historia duke i dhënë jetë dhe jo ta denatyralizojmë. Në fakt, e kemi shndërruar në një qytet që di të jetojë edhe jetën e natës”, – shprehet znj. Kumbaro.

Duke mbartur mbi vete historinë, ndryshimet, Via Egnatia është një trashëgimi e hershme e ndarë, që na çon drejt zbulimit të këtij vendi të shumëfishtë.

Në këtë mënyrë “Via Egnatia” bashkon popullin me të kaluarën e tij.

Përgatiti Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Perlat natyrore të Shqipërisë

Belshi një nga perlat karstike të Mesdheut


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit