MENU
klinika

U denoncua nga Balla

‘Xhisiela’ çon Bashën në Prokurori

12.10.2018 - 12:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, për t’u marrë në pyetje pas denoncimit të shefit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për “kallëzim të rremë” sa i përket çështjes “Xhisiela”.

Basha mbërriti në Prokurori dhe hyri nga dera e pasme e saj, siç raportohet, ndërsa ka qenë i vetëm dhe pas asnjë shoqërues.

Lideri demokrat është futur në ambientet e prokurorisë në orën 12:15 minuta, ndërsa do të japë dëshminë e tij si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes para prokurores Elsa Miha.

Pas denoncimit të Emiljano Nuhut dy javë më parë, Balla kallëzoi penalisht Lulzim Bashën, Edi Palokën, Enkelejd Alibeajn, Basir Çollakun dhe Emiljano Nuhun. Ish-oficeri i Krujës, Nuhu që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut.

Pas dëshmisë, kryedemokrati tha se thirrja për t’u paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës, ndersa kishte edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama.

Kur regjimet e korruptuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar shtetin e inkriminuar. Thirrja për t’u paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës. Kam një mesazh për Ramën: PD, unë dhe shqiptarët jemi  të vendosur për të larguar krimin nga politika. Nuk trembemi, nuk shantazhohemi dhe as impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën për cmontimin e shtetit privat dhe çmontimin e diktaturës mafioze”- tha Basha.