MENU
klinika

U shtatëfishuan në një dekadë

100 mijë karta krediti në duart e shqiptarëve

21.11.2018 - 15:22

Shqiptarët kanë në duar më shumë se 100 mijë karta krediti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit qershor numri i kartave të kreditit arriti në rreth 100,600, rreth 4300 më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Në dekadën e fundit, numri i kartave të kreditit është rritur me afro shtatë herë, megjithatë përdorimi i tyre në Shqipëri ende është modest krahasuar me tregjet më të zhvilluara, qoftë edhe brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo lidhet më së shumti me nivelin e lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe me informalitetin.

Ndryshe nga kartat e debitit që lidhet me llogarinë rrjedhëse të përdoruesit dhe përdoren më së shumti tërheqjen e parave nga bankomatet, karta e kreditit është një instrument i ndërtuar kryesisht për blerje direkte, përmes terminaleve fizike apo virtuale, në internet.

Nga rreth 1 milionë e 70 mijë karta aktive në mesin e këtij viti, vetëm 9.5% e tyre ishin karta krediti. Shumica e kartave të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar i takojnë shoqatave të mëdha globale të pagesave, që mund të përdoren për të kryer pagesa pothuajse në të gjithë botën.

Rreth 72% e kartave bankare janë Visa, të ndjekura nga Master Card me 26%, ndërsa American Express dhe kartat lokale zënë rreth 2% të totalit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sa fitojmë nga pagesat elektronike?

Dossier/ “Beteja” me paranë cash