28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, ani pse kjo ditë festohet çdo herë dhe e njëjta shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet shtetërore.
Historianë, edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që kjo festë të jetë pjesë e kalendarit të festave zyrtare. Sipas tyre, në këtë formë po cenohen vlerat kombëtare.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip. Me flamuj kuq e zi shihet i zbukuruar edhe shteti gati 11 vjeçar, ku 95 për qind e popullatës janë shqiptarë.
Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.
Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës. /Konica.al/