MENU
klinika

Protesta për rritjen e çmimit të karburantit

5 ditë protesta në Francë/ Një tjetër i vdekur

22.11.2018 - 16:00

Protestat antiqeveritare të “jelekëve të verdhë” vazhdojnë për të pestën ditë radhazi në Francë. Një person i dytë u konfirmua se kishte vdekur si rezultat i bllokimeve të rrugëve.

Një motoçiklist 27-vjeçar u bë personi i dytë që vdiq si rezultat i protestave. I riu u godit nga një kamion të hënën pasi shoferi bëri një kthesë të papritur për të shmangur një bllokim në zonën Dromit. Pasi u transportua në një spital në qytetin Valence, ai vdiq të martën.

Mbi 530 persona janë plagosur që nga e shtuna, duke përfshirë 17 me dëmtime të rënda.

Presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje për “dialog” ndërsa autoritetet u kanë thënë protestuesve se nuk do të lejohen të bëjnë protestë në zemër të Parisit të shtunën.

Pse janë shoferët në protestë?

Çmimi i naftës, karburanti më i përdorur nga makinat franceze, është rritur me rreth 23% gjatë 12 muajve të kaluar në një mesatare prej € 1.51 (£ 1.71) për litër, pikën më të lartë që nga fillimi i viteve 2000.

Vendimi për të imponuar një rritje të mëtejshme prej 6.5 centë në naftë dhe 2.9 cent në benzinë ​​më 1 janar 2019 u pa si një goditje përfundimtare.

A ka krijuar problem protesta për vendet e tjera?

Vala e protestave në Francë, në lidhje me rritjen e çmimit të karburantit dhe standardeve të ulëta të jetesës, ka krijuar probleme edhe në vende të tjera, duke shkaktuar pengesa për kamionistët në Britani dhe Spanjë, e duke çuar në arrestime në Belgjikë.

Dhjetëra persona u arrestuan në Belgjikë, afër kufirit me Francën, ndërsa Spanja përjetoi bllokime trafiku në kufirin me fqinjin e saj verior.

Bllokimet e trafikut dhe mbyllja e përkohshme e kufijve shkaktoi radhë të gjata deri në 11 kilometra në autostradën kryesore të vendit, përmes maleve Pirenej, mes Francës dhe Spanjës.

Në një deklaratë të qeverisë spanjolle thuhej se, lëvizja po pengonte qarkullimin e lirë të mallrave mes vendeve anëtare të BE-së dhe kostoja e përllogaritur e këtyre bllokadave është rreth 2 milionë euro.

Qeveria spanjolle ka dërguar një notë proteste tek autoritetet franceze dhe ka njoftuar edhe Komisionin Europian. Edhe pse numri i protestuesve në Francë ka rënë që nga fundjava, incidentet kanë vijuar edhe të enjten, në prag të një dite kombëtare aksioni të planifikuar për të shtunën.

Të enjten, rreth 30 protestues ngadalësuan trafikun në afërsi të tunelit në La Mansh, në Francën veriore, që përdoret nga mijëra kamionë që hyjnë çdo ditë nga Britania e Madhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Protesta për rritjen e çmimit të karburantit

Protesta në Francë/ një i vdekur, dhjetëra të plagosur