MENU
klinika

Argumentet e KLSH-së

A po gënjen qeveria me borxhin?

04.11.2018 - 10:15

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin faktik të vitit 2017 përmban kritika të forta për qeverinë, për mënyrën se si ajo ka menaxhuar borxhin publik dhe si ka krijuar detyrime të reja, ndryshe nga sa kishte premtuar.

Në raport, KLSH thotë se qeveria ka ulur fiktivisht shifrën e deficitit buxhetor vitin e kaluar, duke krijuar detyrime të prapambetura. Për shkak të këtyre detyrimeve, sipas vlerësimit të strukturës më të lartë kontrolluese në vend, borxhi publik nuk është 70%, siç pretendohet, por 72% e prodhimit kombëtar.

Kontrolli gjithashtu vlerëson se, niveli faktik i deficitit është i nënvlerësuar me qëllim raportimin e tij brenda kufijve ligjorë, por ky nënvlerësim ka krijuar detyrime të prapambetura. Nga ana tjetër, deficiti buxhetor i vitit të kaluar, pra diferenca midis shpenzimeve dhe të ardhurave të qeverisë, vlerëson Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk ishte 2%, aq sa e ka raportuar ministria e Financave, por 3.5% e prodhimit kombëtar. E thënë në vlerë absolute, diferenca është afro 19.6 miliardë lekë. Kjo diferencë, thotë KLSH, lidhet kryesisht me dy zëra: detyrimet e prapambetura të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tejkalimi i kufirit të huamarrjes.

Sa i përket zërit të parë, në raportin kritik nënvizohet fakti se, gjatë vitit të kaluar qeveria ka krijuar 11 miliardë lekë detyrime të prapambetura, detyrime që kanë sjellë vonesa në rimbursimin e tatimin mbi vlerën e shtuar për biznesin. Bëhet fjalë për rimbursimin e TVSH-së për dy projekte të mëdha: investimet që po kryen gazsjellësi TAP dhe në kaskadën e Devollit.

Zëri i dytë kryesor ku KLSH thotë se qeveria ka thyer kufirin e deficitit është tejkalimi i huamarrjes në disa zëra, ku përfshihet kredia që qeveria mori përmes aktit normativ në ditët e fundit të vitit 2017. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kredia nuk është përfshirë në shifrën e deficitit, ashtu si disa hua të tjera që ekzekutivi ka dhënë për kompanitë e energjisë. Megjithatë, Ministria e Financave ka shpjeguar se, në fund të vitit të kaluar huaja është marrë për të paguar rrogat më 5 janar të vitit 2018, dhe si e tillë, nuk mund të përfshihet në deficitin e vitit të kaluar.

Më herët, para se raporti i KLSH-së të depozitoj dhe diskutohej në Parlament, këto detyrime janë evidentuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), por dhe atëherë qeveria tha se pjesa dërrmuese e tyre është riskedeluar dhe do të shlyhet më këste, sipas një marrëveshjeje të pranuar dhe nga vetë kompanitë, ndaj “nuk mund të quhen borxhe të prapambetura”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Por nuk përfshin eurobondin

Borxhi publik, 66% në fund të shtatorit