MENU
klinika

Projekti i Unazës së Madhe

ALUIZNI: Ndërtimet nuk legalizohen

05.11.2018 - 13:46

Drejtuesit e ALUIZNI dhe Bashkisë Tiranë kanë shuar sot shpresat e banorëve që kanë ndërtime pa leje dhe që preken nga projekti i Unazës së madhe. Ata theksuan se ndërtimet në fjalë do të skualifikohen menjëherë nga procesi i legalizimit. Nëndrejtoresha e Përgjithshme e ALUIZNI-t, Ingrid Konomi, i dha të hënën përgjigje edhe çështjes së procedurës që do ndiqet me banesat pa dokumentacion pronësie por në proces legalizimi.

“Institucioni i ALUIZNI-t ka për detyrë që në momentet kur kemi plane të tilla madhore, për interes të të gjithë qytetarëve të Tiranës, të bëjë punën e vet. Ajo çka është bërë deri tani është që duke u bazuar edhe në ligj, në nenin 39, në momentin që shfaqet një plan i tillë, të gjithë subjektet të cilat kanë aplikuar për leje legalizimi janë verifikuar dhe sigurisht ato subjekte që ndodhen në gjurmën e këtij plani, janë në proces të skualifikimit”, tha ajo.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, tha se, megjithatë, familjet e prekura do të përfitojhnë nga programet e mbështetjes sociale për këto kategori.

“Të gjithë ato familje të cilat janë në proces legalizimi dhe do të duhen të skualifikohen si rrjedhojë e këtij projekti nga legalizimi, Bashkia Tiranë do t’i trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë. Do t’i trajtojmë me një procedurë të posaçme për bonusin e qerasë në mënyrë që të kemi mundësi t’i kalojmë me procedurë më të shpejtë, të mos kenë të gjitha dokumentet që duhen për procedura e bonusit të qerasë dhe të aprovohen sa më shpejt në Këshillin Bashkiak, që të kenë mundësi që automatikisht të përfitojnë bonuesin e qerasë për një periudhë të paktën 1 vjeçare por që ka mundësi që edhe të rinovohet më pas, sa të gjejnë mundësinë që të menaxhohen në banesa të reja. Do të kenë sërish një linjë prioritare në të gjithë programet e tjera të banesave sociale apo të banimit që Bashkia Tiranë ka”, tha Mazniku.

Nga pesë lotet në ndërtim të unazës së Madhe do prishen gjithsej 317 objekte.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN