MENU
klinika

Instituti i Monumenteve të Kulturës

Apoloni/ Restaurohet mozaiku ‘Shtëpia e Athinasë’

06.11.2018 - 15:17

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës prej një muaji janë duke u kujdesur për restaurimin dhe hapjen e rrugës për në mozaikun e ”Shtëpisë së Athinasë”, të kësaj rezidence e cila kishte mbi 20 vjet që nuk ishte hapur apo ndërhyrë në konservimin e tij.

Një grumbull rrënojash që aktualisht gjënden brenda një rrethimi janë ajo që ka mbetur nga një pallat dikur madhështor me sipërfaqe rreth 3500 m2.

Arkeologët e quajnë këtë kompleks “Shtëpia e Athinasë” për shkak të mozaikëve të shumtë që ruhen në të. Nga perëndimi dhe lindja e kolonadës ishin vendosur dhoma të shtruara me mozaikë që shërbenin kryesishtm për pritje.

Në mozaikun e dhomës lindore paraqiten motive nga mitologjia detare: në qendër, në një medaljon tetëkëndësh është dhënë Nereida e zhveshur, hipur mbi një delfin, ndërsa në gjysmërrathët anësore notojnë hipokampë. Në krahun lindor gjëndet dhoma e quajtur e Akilit, sepse në mozaikun e dyshemesë së saj është paraqitur ndeshja e heroit grek me mbretëreshën e amazonave, Pentesilea.

Në një kornizë janë paraqitur dy skena nga amazonomahia. Në të parën dy amazona po godasin një luftëtar grek të gjunjëzuar, që kërkon mëshirë me dorën e ngritur lart.

Në të dytën Akili me përkrenare atike mban në dorë mbretëreshën e amazonave, Pentesilenë, të plagosur për vdekje prej tij gjatë betejës. Banesa ka qenë ndërtuar në shek.II pas Krishtit dhe është braktisur në fillim të shek.III.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN