Avokati i Daniel Drobajt, 18-vjeçarit që akuzohet se hodhi kapsollin që lëndoi efektiven e policisë Ina Nuka, këmbënguli se Prokuroria nuk ka asnjë provë lidhur me këtë.
Mbrojtësi ligjor tha se nuk ka asnjë pamje filmike që të vërtetojë se e ka hedhur drejt oficeres së policisë, edhe pse ka pasur 3 kapsollë me vete.
“Në lidhje me kundërshtimin e forcave të policisë, klienti ka dalë në mbrojtje të banesës së tij, nuk ka dhunë ndaj policisë. Ai nuk ka pranuar ta shoqërojnë me makinën e policisë. Paraqita para Gjykatës kërkesat e familjarëve të tij. Ka qenë një cështje minutash ku i ati e ka nxjerrë nga banesa për ta dorëzuar,” tha avokati i 18-vjeçarit.
“Është ushtruar dhunë sipas tij me të gjitha mënyrat, me sharje nga më rrugaçet e deri te goditjet me grushta. Prokuroria nuk ka asnjë provë që klienti im ka hedhur kapsollin drejt efektives së policisë.Ai ka pranuar, se ka pasur kapsolla dhe i ka hedhur ato drejt llamarinave të Namazgjasë,” tha avokati.