Banorët e ‘Unazës së Re’, sot kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës. Që prej orës 10:00 banorët e Astirit, zonës ku preket nga projekti i ndërtimit të ‘Unazës së Madhe’, me pankarta në duar kanë protestuar dhe i kan bërë thirrje kryebashkiakut Erion Veliaj që të dalë në nj takim sqarues me ta.
Mësohet se protestuesit janë mbledhur para bashkisë, ndërsa kërkojnë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, që të marrin përgjigje lidhur me fatin që do të kenë banesat e tyre. Sapo turma e qytetarëve u mblodh para bashkisë, policë të rendit kërkuan që ata të largoheshin, pasi nuk ishte marrë leje për tubimin.
Pas disa minutash bisedime, policia u tërhoq, ndërsa qytetarët vijojnë të qëndrojnë para këtij institucioni, ndërsa pohojnë se nuk do të largohen prej aty pa takuar Veliajn. Ata shprehen se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa shtojnë se shteti po i nxjerr në qiell të hapur.
“Fuqia e njerëzve është më e madhe se njerëzit në fuqi”, kjo është një nga banderolat më të mëdha që protestuesit mbajnë në duar. Përfaqësuesi i kësaj proteste tha se banorët duan dëmshpërblim 100%. Po ashtu ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që mos të tregohen arrogantë me këta banorë.
“Këta fshihen, se tani janë zgjedhjet. Ne kemi qenë të ligjshëm deri dje, ndërsa sot na shpallin të paligjshëm. Ne duam 100 përqind dëmshpërblim dhe ata që kanë dokumente dhe ata që nuk kanë. Se kanë investuar 25 vite në ato banesa. Projektin le ta bëjnë si të duan ata. Ne jemi për negociata, s’jemi vandalë. Vijmë tek bashkia e Tiranës se jemi qytetarë të Tiranës dhe kemi votuar për këtë qytet.
S’kemi kërkuar kurrë ndihmë. Këta po mundohen që të tregohen arrogantë. Kryeministri duhet të tregohet arrogant me ata që na përdhunuan në Bularat dhe jo me ne. Unë dhe këta banorë nuk duam që ta lëmë vendin. Ne nuk tërhiqemi. Për dy gjëra jeton njeriu; për nder dhe shtëpi. Shtëpitë tona nuk do të gremisen”, tha ai.
Banorët e zonës së ‘Unazës së Re’ kanë lëshuar një lumë akuzash në drejtim të qeverisë teksa protestuan para Bashkisë së Tiranës, në shenjë kundërshtie për shembjen e banesave të tyre. Me thirrje në kor; “Poshtë diktatura, shtëpitë tona janë me gjak. Turp, turp…”, protestuesit qëndruan për rreth 1 orë e 30 minuta para bashkisë në pritje të një takimi me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ndërkohë ata mbanin në duar edhe pankarta, mesazhe këto drejtuar qeverisë si dhe kryeministrit Edi Rama.
“Shqiponjën e hoqe ne nuk na heq dot”, “Lali Eri ku je fshehur?”, “Shtëpitë tona do ti mbrojmë me duart tanë”, “Dy duar për një kokë” si dhe “S’kemi frikë nga presioni i qeverisë”, thuhej në pankartat që mbanin në duar protestuesit, të cilën u shprehen se nuk do të pranojnë shembjen e shtëpive të tyre deri të dëmshpërblehen 100%.
Pasi qëndruan për më shumë se një orë para bashkisë, duke bllokuar edhe rrugën, protestuesit i lanë afat bashkisë që të japë përgjigje deri nesër në orën 10:00.