Republika e Afrikës Qendrore nuk duket se i shërben strategjive të Rusisë. Vendi nuk mburret dot me ekonominë e zhvilluar.
Por për Moskën është interesante diçka tjetër e pazakontë: konflikti në këtë zonë.
Që nga viti 2013, Afrika Qendrore është përballur me një luftë civile të zgjatur. Zhvendosjet masive, paqëndrueshmëria politike, grupet e rebelëve dhe grupet e milicisë kanë dobësuar qeverinë dhe kanë bërë që njerëzit të mos besojnë më tek institucionet.
Në këtë paqëndrueshmëri, Rusia ka gjetur mundësi për të shtrirë fuqinë e vet përtej kufijve të saj dhe për të rindezur partneritetet strategjike në Afrikë që kanë mbetur “në gjumë” që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Rusia ka qenë më e pranishme në Afrikën Qendrore vitet e fundit.
Kiril Avramov, një hulumtues në Universitetin e Teksasit i tha shërbimit rus të Zërit të Amerikës se Moska zyrtarisht ndalon mercenarë dhe kompani të sigurimit, por shpesh oficerët e ish-ushtarakëve apo të inteligjencës organizohen dhe puna e tyre e ka ndihmuar Rusinë në arritjen e objektivave të saj politike.
“Në vend që të destabilizojë regjimet, Rusia kërkon vende që tashmë janë disi të stabilizuar, si Republika e Afrikës Qendrore e Siria.
Këto qeveri mirëpresin ndihma, tha Avramov, dhe kjo i jep Rusisë mundësi të shumta, që nga marrëveshjet e armëve deri tek programet e trajnimit.
Në Afrikën Qendrore, Moska ka shkuar një hap më tej, kanë bërë operacione të përbashkëta. Në të ardhmen, minierat mund të paraqesin mundësi për sipërmarrësit dhe ushtritë e tyre të vogla private, tha Avramov, edhe nëse sektori është aktualisht i pazhvilluar.
Në muajin gusht, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov diskutoi planet për të ndërtuar një qendër logjistike në Portin e Asabit, në Eritrenë jugore, gjatë një takimi me një delegacion të nivelit të lartë të Eritresë, sipas RIA, një agjencie ruse shtetërore lajmesh.
“Aktivitete si këto do të shtohen,” tha ai, duke cituar dëshirën e Rusisë për njohjen si një superfuqi botërore dhe nevojën e saj për marrëdhënie diplomatike.
Vendet e zhytura në konflikt i japin Moskës një shans për të dërguar një mesazh, si për Kinën dhe Perëndimin.