MENU
klinika

Ekzistencializmi humanist

Dostojevski, kyçi i çdo ndërgjegjeje njerëzore

11.11.2018 - 21:45

nga Eugent Kllapi/

Në qoftë se një piktor përshkruan me nuancë ngjyrash botën e tij të brendshshme dhe atë që e rrethon, këngëtari e shpreh me oktavët e vet plot ngjyresa, instrumentisti falë ngjizjes njësh me instrumentin e tij, shkrimtari e shpreh atë emocionin me simbole universale gërmash që quhet ndryshe gjuhë. Por gjuha do mënyrë që të tregohet dhe të dekodohet në mendjen e njerëzve. Kuptimi dhe domethënia është sekreti i shkrimtarëve. 

Fjodor Mihajlloviç Dostojevski është një nga këta njerëz që quhet ndryshe ‘’I paharritshmi’’ në letërsi. Babai i ndërgjegjes njerëzore dhe i ekzistencializmit. Në qoftë se Tolstoi kishte armatën e tij të ndjenjave për të shprehur psikologjinë shoqërore në shekuj, Dostojevski kishte kyçin për të hapur çdo ndërgjegje individuale.

Ai hedh si dorashkë sekretet e një qenie që vuan, nuk ka rëndësi statusi, mosha, shkollimi, por morali dhe virtytet, vlerat që Dostojevski është aq i shprehur në veprat e tij. Një nga autorët më të mirë në rangun botëror.

Sot babai i ekzistencializmit ka përvjertorin e lindjes. Dhe kjo vjen për artëdashësit si kujtesë për të lexuar para edicionit të 21 të Panirit të Librit në Tiranë.
Në kujtesë të librave që gjasme blihen nëpër panaire mund të rreshtojmë:

Lista e veprave
Romane

(1846) “Njerëz të mjerë”, (1849) “Netochka Nezvanova”, (1861) “Të fyer e të poshtëruar”, (1862) “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, (1864) “Shënime nga nëntoka”, (1866) “Krim dhe ndëshkim”, (1867) Igrok “Kumarxhiu”, (1869) “Idioti”, (1872) “Djajtë”, (1875) “Adoleshenti”, (1881) “Vëllezërit Karamazov”

Novela dhe tregime të shkurtra

(1846) Sozia: Një poemë e Shën Peterburgut”, (1847) Novelë në nëntë letra, (1847) “Zoti Prokharçin”, (1847)”Qiradhënësia”, (1848) “Polzunkov”, (1848) “Një zemër e dobët”, (1848) “Burri xheloz”, (1848) “Një hajn i ndershëm”, (1848) Një dru Krishtlindjesh dhe një martesë”, (1848) Netë të bardha, (1857) “Heroi i vogël”, (1859) “Endrra e xhaxhait”, (1859) Fshati i Stepançikovës, (1862) “Një tregim i ndyrë”, (1865) “Krokodili”, (1870) “Burri i përjetshëm”, (1873) “Bobok”, (1876) “Një krijesë xhentile”, (1876) “Fshatari Marej”
Nga kryeveprat e tij janë ”Idioti”, ”Krim dhe Ndërshkim”, ”Vëllezërit Karamazov”. Me këto libra mund të futesh për të lexuar dhe ngelesh nga Dostojevski në çark. Sapo mbaron të vjen aq inat që është fleta e fundit e librit sa me inat dyfish e rifillon nga e para atë për ta ripërjetuar.

Dostojevski lindi dhe jetoi në një kohë të shndërrimeve politike midis absolutizmit dhe kapitalizmit, midis feudalizmit dhe demokracisë, që krah për krah me lindjen e socializmit udhëzonin beteja gjithfarëshe.

Nuk shprehet më mirë shpirtërorja sesa tek Dostojevski. Ai është gjenial në përshkrimin e karaktereve njerëzore, futet e del normal sikur është i ftuar në çdo dramë të çdo individi, makar se ai mund ta quajë veten normal, jo jo, Dostojevski e analizon atë në decimetra mendore me një mikrometër që quhet psikologji idividuale.

Më pas ai thur raporte të gjithanshme shoqërore me të gjitha grotesket që jep shoqëria ruse e asaj kohe po që për kohën sot është njësoj sikur të jetosh në Shqipëri. Ai i thyen shekujt dhe i mbledh në një grusht për të t’i servirur si psikologji në lëmin e thjeshtë të fjalës e rreshtave të pafundme në veprat e veta.

Në çdo foto te ai shikohet një thellësi e vështrimit të tij të syve, gjë që paralejmëron një psikoanalizë të thellë të individëve të ndryshëm, qoftë ata që bëjnë krime dhe janë pasionantë si shkrimtarë për t’u vetshpallur fajtorë, ashtu dhe ‘’idiotëve’’ që me mirësi japin më shumë pëlqim se kuadrot ushtarakë të pispillosur në sallonet ruse.

Ai lindi në Moskë, fëmija i dytë nga një familje e madhe me 7 famijë. Ai vjen nga një familje e shtresës së mesme. Dostojevski i ri kishte qejf të dëgjonte njerëzit e vuajtur, rrëfimet me pacientët që ndikuan shumë në rrugëtimin e tij.

Fëmijët gjithmonë në psiqikën e tyre krijohen nga prindërit në raport me shoqërinë. Ai rritet nga një sens autoritar të babait, despotik, kurse nëna fillon ta fusë dalëngadalë në botën e leximit. Gjithmonë kështu thuren karakteret njerëzore, e mira do të keqen. Babai mjek ushtarak dhe alkolist që keqtrajton me psikopatologjinë e tij prej sadisti dhe mamaja, një nënë e dashur me muzikën dhe letërsinë që ka fatin e keq të vdesë herët për Dostojevskin.

Personalieti i njeriut krijohet në fëmijërinë e hershme dhe kjo gjë ndikon fort në krijimin e tij, si nga ana e analizimit të babait të dhunshëm, dhe nga nëna e dashur si dhe nga shoqëria që kishte 1 milion drama të saj e nuk mjaftonin.

Ai thjesht gjeti metodën për t’u futur në këto shpirtra njerëzorë dhe u gatua në dramat e tyre. Ishte njëkohësisht shumëdimesional në karaktere dhe gjenial në të shprehurin në veprat e tij.

Në 1837 e ëma vdes me sëmundjen e shekullit, turbekulozin. Gjimnazin ai e bën për shkollë profesionale, për inxhinieri ushtarake, megjithëse dëshira e tij e madhe ishte për letërsi. Në 1838 vdes dhe babai në despotizmin e vet. Pas 1841 ai bëhet inxhinier në komandën ushtarke me titull ‘’nëntenent’’ ndryshe sot në gradat ushtarake quhet nëtoger. Ai burgoset në 1849 për qëndrimet e tij antisistem dhe dënohet me vdekje. Fati i tij i madh ishte se në minutën e fundit urdhri u anullua, dhe bëri mirë që u anullua pasi i dha botës njerëzore një vepër të tërë të mrekullueshme me stilin e tij.

Karriera e tij e letërsisë fillon në 1846 me novelën ‘’Njerëz të varfër’’. Jeta e tij është si shembëllim i veprave të tij.

Krijimtaria e Dostojevskit është e mbushur me mesazhe dhe simbole etike. Ajo vjen si një ombrellë letraro-filozofike drejt qëllimit të tij për të bukurën si vlerë supreme universale me moton. ‘’Bukuria do e shpëtojë njerëzimin’’.

Për vetë faktin që shoqëria kalonte në një periudhë të fortë shënderrimesh dhe njëkohësisht problemesh ai vjen si natyrë personaliteti e një brumi më të rëndë romantik që fillon që nga fiozofia e grekërve të lashtë për njeriun, përcillet në romantizmin italian dhe dalëngadalë afrohet nga romantizmi gjerman për t’u përsosur te ai si një ide supreme që njerëzit të jenë më të dashur, në harmoni, në thjeshtësi dhe realitet më të qëndrueshëm.

Janë të shumta thëniet e tij për idealet që ai i quan ndryshe humane, këtë shpirt njerëzor, aq mirë me të mirat, sa  dhe të këqiat, me gëzimet dhe dramat, me fundin e paarritshëm të antinjerëzores si dhe të arritshmen humane.

Epitetet e tij janë të gjithanshme dhe shprehin gjithmonë mesazhe. Sipas tij ka vetëm një rrugëzgjidhje në këtë ekzistencializëm që do të vazhdojë për shumë kohë. “Bukuria është rruga e shpëtimit”. Kjo është një rrugë mirësie dhe prespektivë, edukim, ndriçim, përqasje që duhet ndjekur. Nëpërmjet kësaj mund të arrihej në shpirtin njerëzor dhe harmonia, edhe qetësia dhe ekuilibri i shoqërisë.

‘’Bukuria është harmoni, në të qëndron garancia e qetësisë, ajo i sendërton njeriut e njerëzimit idealet e tyre”

Po nga ana tjetër ai ballafaqon një dramë dhe ndrydhje të pamatë njerëzore, një krim individual sa bëhet shoqëror, bëhet sistem, lodron krim për gjithçka e rend për ngado, deri thellë aty në Siberi, ku dramat mblidhen në një dhe bëhen normale në jetën e njerëzve plot halle mendore.

Në këtë kuptim ai gërsheton raportin midis paraleleve e mirë e keqe, e drejtë e vërtetë, që edhe sot aq shumë ngatërrohen e janë ulur këmbëkryq.

Ai në fakt nuk ka vdekur, endet në çdo skutë njerëzore që mundohet të shfletojë kuptim në veprat e tij, pasohet nga brezi në brez me mesazhe dhe i jep botës më shumë kuptim, më shumë ekzistencializëm, më shumë humanizëm për njerëzit që nuk i kapin dot normat për të jetuar.

Ai shprehet për çdo anë të psikologjisë individuale me psikozat dhe shtypjet e veta që si i shpreh ai, vështirë ta shprehin të tjerët.

Ai ka kyçin që e mban gjithmonë në gjoks të varur, të fshehur. Duhet ta lexoni që të futeni në portën e ndërgjegjeve njerëzore. Nuk ka rëndësi sa vëllime janë. Panairi do të hapet së shpejti.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN