MENU
klinika

“Të ulet më shpejt borxhi”

FMN, sërish “e butë” me PPP-të

20.11.2018 - 17:44

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri edhe këtë herë foli me tone të buta për investimet në programin e partneritetit publik-privat. Shefi i misionit, Jan Kees Martijn, tha se PPP-të janë një instrument legjitim që qeveria mund ta përdorë dhe që ofron mundësi shtesë, por nënvizoi se shtimi i këtyre kontratave rrit rreziqet fiskale. Ai shtoi se duhet një shkallë e rritur transparence me publikun për këto rreziqe, si edhe këshilloi mospranimin e mëtejshëm të propozimeve të pakëkruara nga sektori privat.

Megjithatë, misioni i FMN-së kërkoi një ulje më të shpejtë të borxhit publik krahasuar me parashikimet e qeverisë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu, FMN u shpreh edhe njëherë kundër përjashtimeve të reja nga tatimet, madje kërkoi edhe anullimin e përjashtimeve të miratuara më parë, sidomos në sektorin e turizmit.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, mbrojti edhe njëherë programin e PPP-ve, duke u shprehur se qeveria po vepron me transparencë të plotë. Në fakt, shuma totale e projekteve me financim nga qeveria që janë miratuar ose priten të miratohen arrin në mbi dy miliardë euro.

Ahmetaj pranoi, nga ana tjetër, ekzistencën e shumave të mëdha të detyrimeve të prapambetura, por premtoi shlyerjen e tyre brenda vitit të ardhshëm.

Qeveria shqiptare parashikon një rritje ekonomike prej 4.3% për vitin e ardhshëm, ndërsa FMN ndalet në një projeksion prej 3.7%. Objektivi i qeverisë është një ulje e borxhit publik në 65.5%. Por, nga ana tjetër, detyrimet e prapambetura në masën 1.5% të Prodhimit Kombëtar dhe shtimi i kontratave të PPP-ve shtojnë pikëpyëtjet për kursin e konsolidimit fiskal.

Në konferencën e përbashkët për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se bazat e zhvillimit të vendit janë solide, megjithatë theksoi nevojën për të vazhduar reformat, për të garantuar një rritje të qëndrueshme afatgjatë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


S’ka më projekte të reja

PPP-të marrin fund me rrugën Orikum-Dukat