Megjithëse ky sezon i gripit ka një nisje të ngadaltë, zyrtarët e SHBA-së po i kërkojnë të gjithëve që të vaksinohen tani.
Po pse valle?
Viti i kaluar ishte një nga sezonet më të rënda të gripit prej disa kohesh, megjithatë më pak amerikanë morën një vaksinë të gripit sesa në vitet e kaluara.
Në fakt, më pak se katër në 10 të rritur u mbrojtën nga gripi dhe ndërlikimet e tij dimrin e kaluar, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Aktualisht aktiviteti i gripit është i ulët, me vetëm një pakicë të rasteve,” – tha Dr Alicia Fry. Ajo është shefe e degës së epidemiologjisë dhe parandalimit të gripit të CDC.
“Tani është koha e përkryer për të vaksinuar … kjo i jep trupit tuaj mjaft kohë për t’iu përgjigjur vaksinës dhe për të formuar një përgjigje të mirë imune, për të qenë gati për sezonin e gripit”, – tha Fry.
Tetori është koha më e mirë për të marrë një vaksinë të gripit. Vaksina zvogëlon shanset e gripit, dhe nëse e merrni gripin kjo bën që ta kaloni më lehtë atë dhe pa komplikacione, shtoi ajo.
Vaksina redukton gjithashtu vdekjen midis fëmijëve, si dhe shtrimet në spital të grave shtatzëna, – tha Fry. Vaksina është veçanërisht e rëndësishme për gratë që kanë fëmijë shumë të vegjël, njerëz të moshës 65 vjeç e lart dhe të gjithë njerëzit me sëmundje kronike të zemrës ose të mushkërive.
Deri më tani janë shpërndarë rreth 132 milionë doza të vaksinës dhe rreth 168 milionë do të jenë në dispozicion gjatë sezonit të gripit 2018-2019, sipas Fry.Disa viruse po qarkullojnë, duke përfshirë llojet e influencës A H1N1 dhe H3N2, gjithashtu dy viruse të influencës B.
“Nuk është e qartë nëse do të ketë një virus që do të dominojë dhe të jetë virusi dominues”, vuri në dukje ajo. Fry tha se shpreson që sezoni i gripit të jetë më i butë se i fundit, por nuk mund ta parashikojmë këtë.
Sezoni i fundit i gripit dha numra rekord të vdekjeve dhe shtrimeve në spital. Gripi i kaluar sëmuri 49 milionë njerëz, u shtruan në spital gati 1 milion dhe vrau 79,000 njerëz.
Pothuajse 12 milion fëmijë kaluan gripin dhe 48,000 u shtruan në spital, tregojnë statistikat e CDC. Prej tyre, 183 vdiqën. Vitin e kaluar ishte sezoni më i keq që nga viti 2009 kur virusi pandemik i gripit A H1N1 goditi njerëzimin, thonë zyrtarët e shëndetësisë.
Për A H1N1, vaksina është deri në 60 për qind efektive, ashtu siç është për viruset e influencës B. Për virusin H3N2 është më pak efektiv, pasi viruset H3 mund të ndryshojnë për të ‘mashtruar’ sistemin imunitar të trupit, shpjegoi ajo.
“Vaksina është mbrojtja më e mirë kundër infektimit nga gripi duke ulur sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë “, – theksoi ajo.
Raporti i aktivitetit të gripit u botua më 26 tetor 2018 në Raportin Javor të Moralitetit dhe Vdekshmërisë të CDC.